Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar lidhur me progresin e numërimit të fletëvotimeve nga votimi jashtë Kosovës, përkatësisht nga votimi përmes postës, që i takojnë zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të dirt se “deri më tani (e hënë, 15 qershor 2026, ora 09:00) janë numëruar 80 nga 223 kuti votimi (35.87%), në të cilat janë vendosur zarfet me fletëvotime pas aprovimit të tyre nga shërbimi votues i KQZ-së”.
Ai ka shpjeguar se sipas procedurave, zarfet që supozohet se përmbajnë fletëvotime, pas procesit të vlerësimit janë sistemuar në 223 kuti votimi votimi sipas komunave prej nga vijnë votuesit e regjistruar.
Votimi përmes postës është mundësuar nga 21 maj deri më 6 qershor 2026, ndërsa numri i shtetasve të Kosovës të regjistruar për të votuar përmes postës ishte rreth 105 mijë.
Një ditë më parë, të dielën, KQZ ka përbyllur procesin e vlerësimit të 85,790 pako të supozuara me fletëotime, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërkaq janë refuzuar 2,981.
Këto pako janë tërhequr nga kutitë postare të KQZ-së në 22 shtete të ndryshme si dhe nga kutia postare e KQZ-së në Kosovë.
Por, se kur do të fillojë numërimi i fletëvotimeve të fundit, atyre me kusht dhe të personave me nevoja të veçanta, Elezi ka treguar se numërimi i tyre do të fillojë menjëhërë sapo të mbarojë numërimi i fletëvotimeve nga votimi me postë.
“Derisa të përfundojë numërimi i votave nga votimi përmes postës, do të përgatitet procesi për fillimin e numërimit të votave nga votimi me kusht, i cili është mundësuar në 52 vendvotime me kusht ku janë evidentuar 8,751 votues dhe fletëvotimet nga votimi i personave me nevoja të veçanta i mundësuar jashtë vendvotimeve përmes ekipeve mobile dhe ku kanë qenë të regjistruar për këtë lloj votimi 3,144 votues”, ka thënë Elezi.