Manchester United raportohet se është në pozitë shumë të mirë për të siguruar transferimin e një prej mesfushorëve më premtues në Evropë, pasi Real Madrid dhe Arsenal kanë ftohur interesimin për lojtarin e vlerësuar rreth 80 milionë funte.
Klubi nga “Old Trafford” synon të përforcojë mesfushën gjatë afatit kalimtar të verës, sidomos pas largimit të pritshëm të Casemiros. Drejtuesit e Unitedit kërkojnë të sjellin të paktën dy mesfushorë të rinj, për t’i dhënë më shumë energji dhe ekuilibër skuadrës.
Sipas raportimeve në Angli, United tashmë ka arritur marrëveshje për transferimin e Edersonit nga Atalanta. Braziliani pritet t’i bashkohet skuadrës së Michael Carrick për një shumë fillestare prej 35 milionë funtesh, plus 4 milionë të tjera në bonuse.
Megjithatë, Ederson nuk është emri i vetëm në listën e klubit. Manchester United ka qenë i lidhur edhe me disa mesfushorë të tjerë, përfshirë Elliot Anderson të Nottingham Forest, Alex Scott të Bournemouthit dhe Sandro Tonalin e Newcastle United.
Por emri që po merr gjithnjë e më shumë vëmendje është Mateus Fernandes i West Hamit. Sipas “The Sun”, United është aktualisht në krye të garës për mesfushorin portugez, ndërsa Real Madrid, që gjithashtu e kishte monitoruar lojtarin, tani pret që ai të përfundojë në “Old Trafford”.
Arsenal po ashtu ka ulur interesimin për Fernandes, duke i hapur rrugë Manchester Unitedit për të avancuar në bisedime. West Ham e vlerëson lojtarin rreth 80 milionë funte, por United shpreson të arrijë një kompromis, sidomos pas rënies së West Hamit në Championship.
Fernandes konsiderohet një mesfushor modern, i cili mund të luajë si numër 8 progresiv. Edhe pse West Ham pati një sezon të vështirë dhe ra nga Premier League, 21-vjeçari ishte ndër lojtarët më aktivë në kampionat për distancën e mbuluar gjatë ndeshjeve.
Ai njihet për angazhimin defensiv, ndërhyrjet e forta dhe aftësinë për të fituar duele. Gjatë sezonit 2025/26, Fernandes regjistroi më shumë ndërhyrje dhe topa të rikuperuar se Casemiro, si dhe fitoi më shumë duele.
Përveç punës në mbrojtje, portugezi ka edhe cilësi teknike. Ai ka realizuar më shumë driblime të suksesshme për 90 minuta se Casemiro, gjë që tregon se është i aftë të dalë nga presioni dhe të çojë topin përpara në zona të vështira.
Nëse transferimi realizohet, Fernandes mund t’i sjellë Manchester Unitedit energji, agresivitet dhe kreativitet në mesfushë, duke u përshtatur me projektin e ri të klubit për të ndërtuar një skuadër më dinamike dhe më konkurruese. /GazetaExpress/