Numërimi i votave për partitë politike dhe kandidatët për deputetë po shkon drejt fundit.
Në Qendrat Komunale të Numërimit tashmë ka përfunduar ky proces, ndërsa në Qendrën për Numërim dhe Rezultate ka përfunduar procesi i numërimit të votave nga përfaqësitë politike dhe po vazhdon ai i votave me postë.
Edhe pse ende nuk ka filluar numërimi i votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me kusht, sipas të dhënave të KQZ-së, përafërsisht 92% e të gjitha votave janë numëruar.
Me këtë përqindje të numërimit tanimë veçse dihen edhe shumica e kandidatëve për deputetë që kanë fituar ulëse në Kuvendin e Kosovës, edhe pse numërimi i 8% të mbetur mund të bëjë lëvizje edhe në numrin e ulëseve që i marrin subjektet politike në Kuvendin e Kosovës.
Sipas të dhënave të tanishme, Lëvizja Vetëvendosje e cila ka fituar në zgjedhjet e 07.06.2026, i merr 51 ulëse në Kuvend.
Katër kandidatët që janë të fundit në listë si fitues të mandatit të deputetit janë: Jeton Raka me 14 mijë e 104 vota, Valon Peci me 14 mijë e 76 vota, Naim Bardiqi me 13 mijë e 996 vota dhe Drita Pajaziti me 13 mijë e 867 vota.
Megjithatë, këta kandidatë nuk e kanë ulësen e sigurt për shkak se me votat që kanë mbetur për t’u numëruar mund të ketë ndryshime në renditje pasi kandidatët pasues në listë janë shumë afër tyre për nga numri i votave.
Jashtë liste për të fituar mandatin, por që me vota janë afër këtyre që për momentin kanë fituar mandatin, janë kandidatët: Fitim Haziri me 13 mijë e 684 vota, Sylejman Meholli me 13 mijë e 683 vota, Egzon Azemi me 13 mijë e 574 vota, Fjolla Ujkani me 13 mijë e 493 vota, Vigan Qorrolli me 13 mijë e 316 vota, Luan Aliu me 13 mijë e 248 vota, Ilir Qeriqi me 13 mijë e 223 vota dhe Arsim Ademi me 13 mijë e 139 vota.
Partia Demokratike e Kosovës që doli e dyta në zgjedhje, sipas të dhënave të tanishme, ka marrë 23 mandate.
Hajdar Beqa dhe Xhavit Haliti pavarësisht se kanë më shumë vota se Eliza Hoxha, nuk kanë arritur deri tash të fitojnë mandatin e deputetit për shkak të kuotës gjinore, që në këtë rast ka favorizuar Eliza Hoxhën. Ngjashëm, Adriatik Berisha edhe pse ka më shumë vota se Ariana Musliu-Shoshi, kjo e fundit ka fituar mandatin për shkak të kuotës gjinore.
Pavarësisht se Musliu-Shoshi për momentin ka të siguruar ulësen si deputete, për shkak të vazhdimit të numërimit të votave me postë dhe trendit të deritashëm të LVV-së, i rrezikohet mandati si deputete në favor të një kandidati të kësaj partie.
Lidhja Demokratike e Kosovës, deri tash i ka të siguruara 19 ulëse. Por, për shkak të votave me postë edhe kësaj partie i rrezikohet ulësja e 19-të nga LVV-ja.
Kandidatja e 19-ta në listë që ka siguruar deri tash mandatin është Jeta Statovci. Pas saj menjëherë vjen Adelina Thaçi-Meta, e cila edhe pse nuk ka siguruar ulëse është për vetëm 240 vota më pak se Statovci.
Shtatë ulëse i ka siguruar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës në këto zgjedhje. Për shkak të kuotës gjinore kandidatët Bekë Berisha e Burim Ramadani kanë mbetur jashtë Kuvendit të Kosovës.
Sipas të dhënave të deritashme, vendet e tyre i kanë marrë Albana Bytyqi dhe Teuta Haxhiu.
Edhe pse me vota nuk kanë siguruar ulëse, Berisha dhe Ramadani pritet që t’i marrin mandatet e deputetit, kjo pasi që Ardian Gjini dhe Daut Haradinaj që kanë siguruar ulëset në Kuvend, kanë paralajmëruar që do t’i lirojnë mandatet për kolegët e tyre.
“Jam dhe do të jem gjithmonë Aleancë, por mandatin si deputet kësaj radhe e le për t’ju lëshuar vend të tjerve në listën tonë fantastike.”- kishte shkruar Daut Haradinaj në një postim të datës 7 qershor.
Ardian Gjini në anën tjetër, më 09.06.2026 në emisionin Rubikon ka thënë se do ta dorëzojë mandatin e fituar.
“Nuk do ta mbaj pozitën e deputetit për shkak se duhet me dërgu Gjakovën në zgjedhje menjëherë. Do ta mbaj pozitën e kryetarit të Komunës dhe të partisë.”- ka deklaruar Gjini.
Prej partive të komuniteteve joshumicë Lista Serbe ka fituar 9 mandate, KDTP 2 mandate dhe nga një mandat e kanë fituar: ZSPO, Koalicioni Vakat, IRDK, NDS, SDU, PSA, PLE, JGP dhe PREBK. /Kallxo