Një vit qeveria Merz dhe qasja ndaj Ballkanit Perëndimor - Gazeta Express
string(56) "nje-vit-qeveria-merz-dhe-qasja-ndaj-ballkanit-perendimor"

Lajme

Gazeta Express

06/05/2026 8:58

Një vit qeveria Merz dhe qasja ndaj Ballkanit Perëndimor

Lajme

Gazeta Express

06/05/2026 8:58

Qeveria e Friedrich Merz pas një viti pune merr vlerësime të njëpasnjëshme negative. Por çfarë ndodh me atë pjesë të politikës së jashtme, që ka të bëjë me Ballkanin Perëndimor?

Përgjigjet janë të ndryshme në varësi të asaj se kë pyesni në Berlin. Një vit pas marrjes së drejtimit nga qeveria kristiandemokrate-socialdemokrate e Friedrich Merz pjesa më e madhe e qytetarëve janë të pakënaqur me punën e saj. Por në këto konstatime mbizotërojnë çështjet që lidhen me planin e brendshëm politik, politika e jashtme nuk luan ndonjë rol të madh.

Megjithatë kjo qeveri si dhe qeveria e mëparshme e socialdemokratit Olaf Scholz po përballet me sfida të shumta, kryesisht për shkak të agresionit rus ndaj Ukrainës. Kësaj i shtohen krizat e vazhdueshme në Lindjen e Mesme, të cilat, sidomos kriza e fundit e Iranit, po prekin gjithnjë e më shumë Evropën dhe ekonominë e saj më të madhe, Gjermaninë.

Heqja e funksionit të Ngarkuarit të Posaçëm sinjal i keq

Në vorbullën e këtyre sfidave ekzistenciale publiku pak interesohet për marrëdhëniet e Berlinit me vendet eBallkanit Perëndimor. Vëzhguesve të marrëdhënieve të Berlinit me rajonin e Evropës Juglindore u ra menjëherë në sy, se qeveria e re shfuqizoi funksionin e të Ngarkuarit të Posaçëm të qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor,i vendosur në kohën e qeverisë së mëparshme. Këtë pozicion e mbante politikani i partisë së Gjelbër, Manuel Sarrazin. Gjatë aktivitetit të tij rajoni ishte rregullisht në listën e prioriteteve të politikës së jashtme gjermane, siç dëshmojnë edhe marrëveshjet e shumta të nënshkruara gjatë kësaj periudhe si pjesë e Procesit të Berlinit.

Qeveria e re e hoqi këtë funksion me shpjegimin se bëhet fjalë për masa kursimi, që janë zbatuar në të gjitha ministritë, përfshirë edhe atë të Jashtme. Por funksioni i ri nuk do të përshtatej në konceptin e ri të sendërtimit të politikës së jashtme, e cila pas shumë vitesh ndodhet në duart e një partie. Politika e jashtme tani është një projekt i përbashkët i zyrës së Kancelarit dhe i Ministrisë së Jashtme nën drejtimin e bashkëpunëtorit të ngushtë të Merz nga po e njëjta parti, Unioni Kristian Demokrat (CDU), Johann Wadephul.

Politika e vazhdimësisë

Ndonëse në fillim me heqjen e funksionit të Komisionerit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor qeveria e re shkaktoi skepticizëm lidhur me vazhdimësinë e politikës ndaj Ballkanit Perëndimor, turneu i ministrit të ri të Jashtëm Johann Wadephulnë rajon u përpoq t’i shuante këto frikëra. Peter Beyer, pëfaqësues i CDU-së në pushtet dhe anëtar i komisionit të politikës së jashtme të Bundestagut, beson se qeveria e Friedrich Merz ka vazhduar ta mbajë Ballkanin Perëndimor në qendër të prioriteteve të politikës së jashtme.

“Në vitin e parë të mandatit të Friedrich Merz qeveria gjermane vazhdoi politikën e viteve të mëparshme ndaj Ballkanit Perëndimor dhe me vizitën e rëndësishme të Ministrit të Jashtëm në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor theksoi qartë rëndësinë strategjike të rajonit. Pikërisht në dritën e tensioneve gjeopolitike, veçanërisht për shkak të ndikimit rus, Ballkani Perëndimor është më shumë se kurrë në fokusin e politikës së jashtme gjermane”, tha Beyer i pyetur nga DW.

Megjithatë ai insiston se nuk bëhet fjalë vetëm për vazhdimësinë e politikës së qeverisë së mëparshme, por për politikën, themelet e së cilës i hodhi kancelarja kristiandemokrate Angela Merkel, me gurthemelin Procesin e Berlinit.

Berlini pa një rol kryesues

Kolegu i tij nga Partia Socialdemokrate (SDP), Adis Ahmetoviç, beson se Gjermania, duke mbështetur vendet e rajonit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duhet të krijojë kushtet për integrim të plotë në sistemin e vlerave euroatlantike.

“Ekziston një vendosmëri e qartë, se ne i shohim gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si pjesë integrale të BE-së. Për këtë arsye mbështesim veçanërisht Malin e Zi dhe Shqipërinë të konsideruar si kryesues në këtë proces. Por të themi të vërtetën, integrimi i këtyre vendeve në BE duhet të përshpejtohet, duke pasur parasysh sfidat gjeopolitike. Në kohën e rritjes së proteksionizmit dhe nacionalizmit global Evropa duhet të dëshmojë, se ka forcën për të kapërcyer vetveten dhe për të zgjeruar BE-në. Për këtë angazhohet kjo qeveri federale”, tha Ahmetović në një intervistë për DW.

Por analistët janë më skeptikë, kur shohin performancën e qeverisë Merz në procesin e integrimit të rajonit në BE. Marina Vuloviç nga Fondacioni Shkencë dhe Politikë në Berlin flet për një “kurs të matur”.

“Edhe pse Gjermania ka vendosur qartë për perspektivën evropiane të rajonit, ajo shpesh orientohet nga stimuj të jashtëm, për shembull iniciativat e Komisionit Evropian apo konteksti gjeopolitik, në vend që të marrë vetë rolin udhëheqës. Ndërsa ministri  i Jashtëm me turneun e tij triditor në gjashtë vende tregoi një angazhim më të madh në Ballkanin Perëndimor, kancelari mbetet më i kujdesshëm në deklaratat e tij”, mendon Vuloviç.

AfD: Ballkani Perëndimor i rëndësishëm për Gjermaninë dhe Evropën

Një opinion çuditërisht pozitiv për 12 muajt e parë të politikës së Friedrich Merz ndaj Ballkanit Perëndimor vjen nga radhët e partisë së djathtë opozitare Alternativa për Gjermaninë (AfD), e cila zakonisht përfaqëson pozicione diametralisht të kundërta me koalicionin qeverisës, edhe në politikën ndaj Ballkanit Perëndimor.

“Për mendimin tim bilanci i qeverisë gjermane nën Friedrich Merz ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor pas një viti është i përzier. Nga njëra anë duhet theksuar se rajoni politikisht nuk ka dalë krejtësisht jashtë vëmendjes. Iniciativat diplomatike kanë vazhduar, janë zhvilluar bisedime në kuadrin e procesit të Berlinit dhe janë shënuar disa përparime në hapa të caktuar të integrimit drejt Bashkimit Evropian. Pikërisht për sa i përket stabilitetit në Evropën Juglindore, Ballkani Perëndimor mbetet një zonë e rëndësishme e politikës së sigurisë për Gjermaninë dhe Evropën”, thotë për DW , përfaqësues i AfD-së dhe anëtar i grupit parlamentar gjermano-evropianojugor.
Por ai konkludon se Gjermania do të duhet të marrë një rol udhëheqës dhe jo vetëm të reagojë ndaj krizave apo nismave nga Brukseli. “Kur bëhet fjalë për Ballkanin Perëndimor, Gjermanisë i mungon vija e qartë strategjike”, përfundon përfaqësuesi i grupit më të madh parlamentar opozitar në Bundestag.

Mungesa e mbështetjes së qartë për forcat reformatore

Boris Mijatoviç, raportues i partisë opozitare Të Gjelbrit, ka një vlerësim kryesisht negativ për efektet e qeverisë së Friedrich Merz në Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë, thotë ai për DW, vende si Mali i Zi, por dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, do të kishin nevojë urgjente për mbështetjen politike të qeverisë gjermane në zbatimin e reformave të nevojshme.

Mijatoviç, i cili është shpesh në rajon, beson se qeveria gjermane nuk tregon sa duhet mprehtësi ndaj forcave gjithnjë e më të fuqishme, që po i çojnë vendet e rajonit prapa.
“Në politikën e jashtme të koalicionit qeverisës i kushtohet shumë pak vemendje faktit se në Serbi, si dhe në Bosnje- Hercegovinë politikanët autoritarë inkurajojnë qëndrime antidemokratike dhe në këtë mënyrë antievropiane. Qeveria gjermane deri tani protestave në Serbi u ka kushtuar po aq pak vemendje sa edhe situatës jashtëzakonisht të brishtë politike në Republikën Srpska në Bosnjë Hercegovinë. Këtu duhet presion politik nga Gjermania, që këto dy shtete të mos rrëshqasin më poshtë”, përfundon Mijatoviç.
Edhe Nikola Xaviereff nga Shoqata Gjermane për Politikën e Jashtme (DGAP) beson se qeveria Merz në vitin e parë të saj nuk ka bërë përpjekje për të dhënë impulse të reja, “as në planin bilateral dhe as në procesin e zgjerimit”, siç thotë ai për DW. Përjashtimi i vetëm është “mbështetja simbolike” për anëtarin më të mundshëm të ri, Malin e Zi.

“Politika gjermane e klasifikon nominalisht Ballkanin Perëndimor në katër apo pesë prioritetet e tij, por nuk ka treguar, se si zbatohet kjo në politikën në terren: nuk ka mesazhe ndaj Serbisë, nuk ka drejtim në përpjekjet për të përshpejtuar dhe ripërcaktuar modelin e zgjerimit të BE, nuk ka rikalibrim të ri drejt rajonit, ku SHBA po ndryshojnë qasjen e tyre normative ndaj ekonomisë, dhe në fund në një farë mënyre largohen nga promovimi i zgjidhjeve liberale për Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën”, përfundon Xaviereff. /DW

Advertisement
Advertisement
Advertisement