Një dekadë premtime e pritje për liberalizimin e vizave - Gazeta Express
string(55) "nje-dekade-premtime-e-pritje-per-liberalizimin-e-vizave"

Një dekadë premtime e pritje për liberalizimin e vizave

Instant

Gazeta Express

23/06/2022 22:47

Gazetar: Çlirimtar Morina

Gjithçka nisi në vitin 2011.  Në atë kohë, eurodeputetja Ulrike Lunaçek i bënte thirrje Bashkimit Europian që t’i liberalizohen vizitat shtetit më të ri në Evropë.

Kjo kërkesë e saj mori jehonë në Kosovë. Titulli “Koha për liberalizim” zinte ballinën e gazetës “Express” më 11 maj 2011.

Disa muaj më pas, raportimet ishin më serioze në këtë drejtim.

Ballina e 20 janarit të vitit 2012 e gazetës “Express” i kushtohej nisjes së dialogut të Kosovës me BE-në për liberalizimin e vizave.

Në lidhje me këtë po hartohej edhe një udhërrëfyes dhe sipas komisioneres Cecilia Mallmstrom, dorëzimi i tij tek autoritetet kosovare ishte çështje muajsh.

Dy muaj më pas nisën edhe takimet ndërmjet liderëve kosovarë dhe zyrtarëve të BE-së. Si sot, para 10 vjet e 3 muajsh, këta të fundit i filluan premtimet e njohura tashmë për përkushtimin e Unionit karshi liberalizimit të vizave.

Këto kushte u përmbushën vite më radhë, gjë që iu kumtohej edhe liderëve vendorë, të cilët premtimet ua transmetonin më pas edhe qytetarëve kosovarë.

Përveç kritereve teknike, BE vendosi edhe kriter politik, në këmbim të liberalizimit. U tha se vizat kosovarëve do t’u hiqeshin pas votimit të demarkacionit me Malin e Zi.

Demarkacioni kaloi, por vizat mbetën.

Nga nisja e dialogut për liberalizim me Kosovën ka kaluar më shumë se një dekadë, ndërkaq qytetarët e vendeve fqinje të Kosovës kanë pritur më së shumti tri vjet, që të lëvizin lirshëm në vendet e Zonës Shengen.