Middlesbrough beson se përgjigjja e vetme e duhur ndaj skandalit “Spygate” është një dënim sportiv që do ta pengonte Southamptonin të marrë pjesë në finalen e “play-offit” të Championship.
Më herët gjatë javës, Southamptoni u akuzua për shkelje të rregullave të EFL-së pasi Middlesbrough pretendoi se një anëtar i stafit të Southamptonit kishte spiunuar një nga seancat stërvitore të klubit para ndeshjes së parë gjysmëfinale.
Siç dihet, “Shenjtorët” siguruan një vend në finalen e “play-offit” kundër Hull Cityt falë një goli të vonshëm nga Shea Charles, por ndeshja u dominua nga polemikat rreth skandalit “Spygate”.
Më vonë, EFL publikoi një deklaratë ku konfirmoi se një seancë disiplinore për incidentin do të mbahet më së largu deri më 19 maj.
Ndërkohë, Middlesbrough kishte kërkuar të merrte pjesë në dëgjim për të paraqitur personalisht provat e tij para komisionit të pavarur disiplinor të EFL-së, por kjo kërkesë u refuzua.
Tani, klubi ka publikuar një deklaratë të fortë për të bërë të qarta qëndrimet e tij.
“Middlesbrough FC merr parasysh vendimin e Komisionit Disiplinor për të mos lejuar klubin të ndërhyjë në procedurat e ngritura nga EFL kundër Southampton FC,” thuhet në deklaratë.
“Klubi e shpreh keqardhjen për këtë rezultat, duke qenë se ne jemi drejtpërdrejt të prekur nga çështjet në shqyrtim dhe posedojmë prova faktike relevante lidhur me ngjarjet dhe ndikimin e tyre konkurrues”, thuhet tutje.
“Veprimi në fjalë – vëzhgimi dhe filmimi i seancës sonë stërvitore para një ndeshjeje me kaq rëndësi – prek vetë thelbin e integritetit sportiv dhe konkurrencës së ndershme”, vazhdon deklarata.
“Në këto rrethana, përgjigjja e vetme e përshtatshme është një sanksion sportiv që do ta pengonte Southampton FC të marrë pjesë në finalen e play-offit të Championship”.
Klubi shtoi gjithashtu: “Shpresojmë që EFL, si rregullator, të kërkojë një sanksion të tillë para Komisionit Disiplinor për të mbrojtur integritetin e lojës, për të ruajtur interesat e të gjitha klubeve anëtare dhe për të parandaluar çdo përpjekje të ardhshme për të siguruar avantazh të padrejtë dhe të paligjshëm në garën për promovim në Premierligë”.
Deklarata përfundoi me paralajmërimin: “Klubi rezervon të gjitha të drejtat ligjore”.
Një raport nga “Daily Mail” publikoi së fundmi një fotografi të personit që pretendohet të jetë anëtari i stafit të Southamptonit që ishte fshehur pas një peme pranë qendrës stërvitore të Middlesbrough.

Sipas raportit, personi është identifikuar si William Salt, një praktikant në klub, i cili u përball nga stafi i Middlesbrough pasi u pa duke filmuar.
Pretendohet se ai u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes përpara se të hynte në “Rockhill Golf Club”, pronë e presidentit të Middlesbrough, Steve Gibson.
Po ashtu, raportohet se edhe klube të tjera të Championship dyshojnë se janë “spiunuar” nga Southamptoni dhe se po shqyrtohen transaksione të kryera pranë qendrave të tyre stërvitore./GazetaExpress/