Stephan El Shaarawy ka konfirmuar se do të largohet nga Roma kur kontrata e tij të skadojë më 30 qershor, duke i dhënë fund një lidhjeje dhjetëvjeçare me “Giallorossët”, që e ka bërë një nga figurat më të dashura të historisë së fundit të klubit.
Sulmuesi anësor e bëri zyrtare largimin e tij ndërsa kanë mbetur edhe dy ndeshje deri në fund të sezonit – derbi kundër Lazios dhe sfida e fundit ndaj Veronës – përpara se të largohet nga kryeqyteti italian si lojtar i lirë.
El Shaarawy iu bashkua fillimisht Romës në janar të vitit 2016 pas një periudhe te Monaco, ndërsa më parë ishte shfaqur si një nga talentet më premtuese të Serie A te Milani.
Ai u largua drejt klubit kinez Shanghai Shenhua në verën e vitit 2019, por u rikthye te Roma në janar të vitit 2021 dhe që atëherë mbeti pjesë e rëndësishme e skuadrës.
Në dy periudhat e tij në Romë, reprezentuesi italian me origjinë egjiptiane zhvilloi 346 ndeshje për klubin, duke kontribuar me 65 gola dhe 50 asistime.
Momenti kulmor i karrierës së tij në “Stadio Olimpico” erdhi në sezonin 2021/22, kur Roma fitoi Ligën e Konferencës nën drejtimin e José Mourinhos, trofeu i parë evropian i klubit pas 61 vitesh.
Largimi i tij ishte përfolur prej kohësh.
Raportohet se trajneri Gian Piero Gasperini kishte kërkuar rinovimin e kontratës së El Shaarawyt dhe tre lojtarëve të tjerë që mbeten pa kontratë, por duket se përpjekjet nuk kanë sjellë marrëveshje./GazetaExpress/