Kylian Mbappe ka folur për të tashmen dhe të ardhmen e tij, duke u ndalur te eksperienca me Real Madridin dhe duke e lënë të hapur derën për një largim në të ardhmen.
Sulmuesi francez, protagonist me “Los Blancos”, ka theksuar se të luash për klubin madrilen është një privilegj i jashtëzakonshëm, duke e përshkruar si një ëndërr të realizuar.
Duke folur për këtë eksperiencë në një intervistë për “GQ”, përcjell “Gazeta Express”, ai u shpreh: “Për mua është si një dhuratë nga Zoti. Të jetosh nga pasioni yt, t’i luash ndeshjet më të mira, të jesh në klubin më të mirë në botë.”
Megjithatë, Mbappe nuk e përjashton mundësinë që në një moment të largohet nga Madridi, duke reflektuar mbi natyrën e karrierës së një futbollisti:
“Një karrierë nuk zhvillohet kurrë saktësisht siç e imagjinon. Ka gjëra që i kontrollon dhe të tjera jo. Herët a vonë do të më duhet të largohem.”
Francezi ka folur gjithashtu për evoluimin e tij si lojtar, duke nënvizuar se talenti nuk mjafton për të qëndruar në majë dhe se puna, përgjegjësia dhe vazhdimësia janë elementët që e bëjnë diferencën në futbollin modern.
Në këtë moment të karrierës, Mbappe mbetet i fokusuar te suksesi me Real Madridin, por deklaratat e tij tregojnë se e ardhmja mbetet e hapur, në një rrugëtim që mund ta çojë drejt sfidave të reja në vitet në vijim. /Gazeta Express