Oliver Ivanoviq është kriminel lufte. Kështu shprehej Albin Kurti para disa vitesh. Atëherë nga Beogradi i kishin kërkuar që t’i tërhiqte ato fjalë, Dje, si kryeministër i Kosovës, Kurti e përkujtoi politikanin serb, duke e përshkruar kështu: i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord.
Gazeta Express
Serbët mund ta dëgjonin në gjuhën e tyre kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, që të hënën pasdite e përkujtoi me një video politikanin Oliver Ivanoviq, i cili u vra pesë vjet më parë. Kur ai u vra dhe disa vjet pas atij krimi, Kurti e konsideronte Ivanoviqin kriminel.
Të hënën pasdite shumë mbetën të befasuar kur Kurti në një video e përkujtoi Ivanoviqin si njeri të hapur, të sinqertë e të respektuar. Tani, kryeministri i Kosovës dëshiron që kështu të mbetet i gjallë kujtimi për politikanin serb.
“Sot ne përkujtojmë jetën dhe kujtimin e Oliver Ivanoviqit, në ditën e vdekjes së tij. Mendimet dhe ngushëllimet e mia janë me familjen dhe miqtë e tij. Oliver Ivanoviq ishte një person i përkushtuar për të luftuar për interesat e komunitetit dhe qytetit të tij. Ai e bëri këtë duke qenë i hapur, i sinqertë, gjithmonë i mprehtë në çështjet me rëndësi, por edhe i respektueshëm edhe ndaj atyre me të cilët nuk ishte dakord. Do të dëshiroja që kujtimi i tij të mbetet i gjallë, kujtimi i tij si një njeri që punoi për një të ardhme të qëndrueshme dhe për një Kosovë shumë etnike”, thotë Kurti në video.
Kurti tha se vrasja e Ivanoviqit e ndikoi gjithë shoqërinë dhe shtoi se kujtimi për të ruhet duke e trajtuar njëri-tjetrin me respekt edhe kur nuk pajtohemi.
Duke e parë dhe dëgjuar Kurtin t’i thotë këto fjalë, shumë serbë e shqiptarë mund të kenë pyetur: Kur dhe pse e ndryshoi mendimin ai për dikë që e akuzonte për spastrim etnik?
Kurti e konsideronte Ivanoviqin kriminel lufte
Kur Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor Oliver Ivanoviqin në janar të vitit 2016, duke e dënuar me 9 vjet burgim për krime lufte ndaj popullatës civile në Kosovë gjatë viteve 1999-200, Lëvizja Vetëvendosje e kishte quajtur “poshtërim” aktgjykimin.
“Drejtësisë me komponentë ndërkombëtarë i janë dashur gjithsej 17 vite që ta shpallin të fajshëm personin përgjegjës për vrasjen, lëndimin, dëbimin dhe shkatërrimin e pronave të shqiptarëve në veri të Mitrovicës. Oliver Ivanoviq dhe bashkëpunëtorët e tij gjatë dhe pas përfundimit zyrtar të luftës në Kosovë janë angazhuar për realizimin e planit hegjemon të shtetit të Serbisë – kolonizimi i Kosovës dhe spastrimi i tij. Oliver Ivanoviqi dhe bashkëpunëtorët e tij nuk janë asgjë më pak se sa konkretja e doktrinës së Ilia Grashaninit – vrit dhe dëbo”, thuhej atëherë në reagimin e LVV-së.
Ai aktgjykim, për LVV-në e Albin Kurtit shpërfaqte “padrejtësinë ndërkombëtare”.
“Veprat për të cilat është gjykuar Oliver Ivanoviqi përbëjnë veprat penale të nivelit ndërkombëtar, e që konsiderohen si vlera të mbrojtura në të mirë të mbarë njerëzimit. Veprimet e grupit të Ivanoviqit nuk dhunuan vetëm vlerat e mbrojtura me ligjet vendore. Ata dhunuan vlerat e mbrojtura me katër konventat e Gjenevës dhe aktet e tjera që sanksionojnë veprimet të tilla si krime ndërkombëtare. Shqiptimi i një dënimi të tillë e tregon më së miri gatishmërinë që sunduesit e ligjit sa janë të gatshëm të mbrojnë postulatet më vlefshme dhe të mbrojtura në nivel ndërkombëtar”, thuhej në reagim.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Mitrovicës, më 4 shkurt 2016, nëpërmjet një komunikate për media, e fajësonte Oliver Ivanoviqin dhe Dragan Delibashiqin për vrasjen e 10 qytetarëve në Mitrovicën e Veriut.
Kur Oliver Ivanoviq u vra më 16 janar të vitit 2018, LVV-ja nuk reagoi. Por të gjithë e dinin se cili ishte qëndrimi i kësaj partrie për politikanin serb. Ivanoviqi për LVV-në mbetej ai që “ka shkaktuar vrasjen e 41 shqiptarëve, lëndimin e qindra të tjerëve dhe dëbimin e më shumë se 12 mijë qytetarëve shqiptarë”.
Edhe një vit pas vrasjes së politikanit serb, Kurti dhe partia e tij vazhduan ta përkujtonin Ivanoviqin si udhëheqës të grupit paramilitar “Rojat e Urës”, që kishte urdhëruar dhe marrë pjesë vetë në vrasjen e shqiptarëve të veriut në shkurt të vitit 2000. Qeveria e atëhershme kritikohej se mbajti një minutë heshtje për të.
“Sot, 19 vite më parë, saktësisht në natën mes 3 dhe 4 shkurtit 2000, strukturat kriminale serbe të përfshirë në formacionet e pandjekura paramilitare të Sllobodan Millosheviqit para syve edhe të KFOR-it francez, zbatuan vrasjen e 10, plagosjen e mbi 80, si dhe dëbimin sistematik të mbi 1500 familjeve shqiptare nga veriu i Mitrovicës ditëve dhe muajve të ardhshëm”, shkruante LVV-ja më 3 shkurt 2019, duke kujtuar natën e tmerrit.
Partia e Kurtit citonte Ivanoviqin që në një deklaratë për New York Times kërkonte mirëkuptim për atë që kishte ndodhur.
“Kështu, gati deri në vetëpranim, do të deklaronte për New York Time-sin e datës 10 shkurt 2000, Oliver Ivanoviq politikan serb i dënuar me 9 vite burg për vrasje shqiptarësh në Mitrovicë. I dënuar nga drejtësia gjysmake e EULEX-it për diçka që për pak sa se pranon me gojën e vet, por për çudinë e botës i përkujtuar me një minutë heshtje nga qeveria e Kosovës në të njejtën ditë me Komandant Jonuz Musliun”, shkruante LVV-ja.
Kurti, në një intervistë në N1 në gjuhën serbe e kishte quajtur Ivanoviqin kriminel lufte dhe për këtë kishte marrë një reagim nga Beogradi.
Marko Gjuriq, ambasador i Serbisë në Ëashington, atëherë drejtor i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në qeverinë serbe, i këtkonte Kurtit t’i tërhiqte fjalët.
“Oliver Ivanoviqi s’ka qenë kriminel lufte, Ivanoviq ka qenë përfaqësues dhe lider i popullit serb në kohët më të vështira, ka luftuar për interesin e tyre dhe ka bërë sakrificën më të madhe që një njeri mund ta bëjë”, kishte thënë Gjuriq.
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...