Policia e Kosovës ka ndërhyrë në dy raste të ndara në rajonin e Prishtinës, duke sekuestruar armë zjarri dhe duke shoqëruar personat e dyshuar në stacionet policore përkatëse.
Një ngjarje më e rëndë është regjistruar në fshatin Lluzhan të Podujevës, mbrëmjen e së mërkurës. Sipas raportit policor, rreth orës 19:30, është arrestuar një person i cili dyshohet se ka kanosur me armë zjarri tre burra.
Policia ka arritur të gjejë dhe të sekuestrojë pistoletën që dyshohet se është përdorur në këtë rast.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për procedime të mëtejshme.
Ndërkohë, në Fushë Kosovë, policia ka shoqëruar dje në mëngjes një person tjetër për mbajtje të paautorizuar të armës. Gjatë kontrollit të ushtruar nga zyrtarët policorë, të dyshuarit i është gjetur dhe konfiskuar një pushkë gjuetie pa leje përkatëse.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, i dyshuari është liruar, ndërsa rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt gjyqësore.