Samuel Preston nuk e fsheh: fama për të ishte një përvojë e hidhur. “E urreja famën, e urreja me gjithë shpirt”, thotë ai, duke kujtuar periudhën e hershme të suksesit me grupin e tij The Ordinary Boys dhe shpërthimin e papritur mediatik pas pjesëmarrjes në Celebrity Big Brother në vitin 2006.
Fillimisht i njohur në skenën indie britanike me një publik besnik, Preston u bë papritur figurë e tabloideve për shkak të lidhjes së tij me Chantelle Houghton gjatë spektaklit.
Kjo e çoi famën e tij në nivele ekstreme – por edhe në një gjendje të vështirë emocionale. “Isha në një gjendje të çuditshme”, kujton ai, duke shtuar se në atë kohë ishte nën trajtim me ilaçe kundër depresionit.

Pas viteve të jetës mes SHBA-së dhe Britanisë, ku u shndërrua në një kantautor të suksesshëm për artistë si Kylie Minogue, Cher dhe Olly Murs, Preston rikthehet tani me grupin e tij. Por rruga deri këtu ka qenë e trazuar.
Ai kujton se pjesëmarrja në Big Brother fillimisht i dukej si një eksperiment artistik, por shumë shpejt u kthye në një makth. Mediat e ndoqën pa pushim, privatësia iu shkel dhe çdo hap i tij u bë objekt gjykimi publik. Madje, ai pranon se edhe telefoni i ishte përgjuar gjatë asaj kohe.



Martesa e tij e shpejtë me Houghton – vetëm tetë muaj pas njohjes – ishte pjesë e të njëjtit vorbull mediatik. Ata madje shitën fotot e dasmës për një shumë të konsiderueshme, një vendim që ai ende e mbron sot.
Karriera muzikore e grupit filloi të zbehej pas kulmit fillestar. Në vitin 2008, grupi u shpërbë, ndërsa Preston u zhvendos në SHBA për të provuar një fillim të ri. Pasi dështoi si artist solo, ai u fokusua në shkrimin e këngëve për të tjerë – një rol që i solli sukses, por jo domosdoshmërisht kënaqësi personale.
Një nga momentet më dramatike të jetës së tij ndodhi në vitin 2017, kur ra nga një ballkon dhe pësoi dëmtime të rënda. Mjekët i thanë se mund të mos ecte më, por ai arriti të rikuperohej pas muajsh në karrocë. Megjithatë, gjatë kësaj periudhe u bë i varur nga qetësuesit e fortë, një betejë që e përshkruan si tepër të vështirë për ta kapërcyer.
Sot, Preston thotë se ka reflektuar shumë mbi jetën dhe karrierën e tij. Ai pranon se dikur kërkonte validim përmes famës, por tani bën një dallim të qartë: “Më pëlqen që njerëzit të dëgjojnë muzikën time, por të jesh i famshëm është diçka krejt tjetër.”
Rikthimi me The Ordinary Boys shënon një kapitull të ri. Kënga e tyre e fundit është përpjekje për t’u rikthyer te rrënjët, ndërsa albumi i ri pritet të trajtojë tema aktuale si pabarazia, teknologjia dhe realiteti i sotëm global.
Edhe pse mbetet i pasigurt për reagimin e publikut, Preston duket më i qartë se kurrë për drejtimin që dëshiron të marrë: “Kam pasur një karrierë të çuditshme, por tani dua të bëj diçka vërtet të mirë. Jam gati për këtë.” /GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta drejt destinacioneve kryesore evropiane. Fluturimet në linjën Berlin – Prishtinë, si...