Regjisori David Lowery, teksa po krijonte personazhin e një ylli imagjinar pop për filmin Mother Mary, u zhyt në muzikën e 25 viteve të fundit.
Ai dëgjoi artistë si Taylor Swift, Lorde dhe FKA twigs, e cila në film luan rolin e Imogene. Por me zhvillimin e historisë – një marrëdhënie e trazuar mes Mary-t dhe mikeshës së saj të dikurshme – frymëzimi muzikor mori një drejtim tjetër, drejt tingujve më emocionalë të artistëve si James Blake.
Filmi ndërtohet mbi dy botë kontrastuese: njëra intime dhe e brishtë, ku Mary (Anne Hathaway) shfaqet e thyer dhe njerëzore; tjetra madhështore, ku ajo është një divë pop me një prani gati hyjnore në skenë. Pikërisht kjo përplasje kërkonte që Hathaway të depërtonte fillimisht në anën më të ndjeshme të personazhit, edhe pse në fillim nuk kishte një ide të qartë për tingullin e këngëve.
Muzika e filmit, e krijuar kryesisht nga Charli XCX dhe Jack Antonoff, është vlerësuar shumë nga kritika. Një kontribut i veçantë vjen nga FKA twigs me këngën My Mouth Is Lonely for You, një krijim sensual që fillimisht nuk ishte menduar për këtë projekt, por që më pas gjeti vendin e duhur në të.
Edhe pse këngët janë krijuar nga artistë të ndryshëm, soundtrack-u krijon një portret të qartë të një ylli pop të shekullit XXI: mjaftueshëm i madh për stadiume, por edhe mjaftueshëm i veçantë për të pasur një ndjekje kult. Ky përshkrim nuk është larg realitetit të vetë artistëve që kontribuan në projekt.

Për Hathaway, procesi i regjistrimit ishte një eksperiencë e re. Edhe pse kishte eksperiencë në muzikë nga filmi Les Misérables, puna në këtë projekt kërkonte një qasje më të thellë – jo vetëm në vokal, por edhe në ndërtimin e tingullit. Ajo u frymëzua nga albumi Little Earthquakes i Tori Amos, duke kërkuar shtresëzim më kompleks të zërit dhe emocioneve.
Një nga zbulimet kryesore për të ishte se ndjenja që përcjell një tekst është më e rëndësishme sesa vetë fjalët. Performanca, mënyra si tingëllon një fjalë, mund të ketë më shumë peshë sesa kuptimi i saj literal.
Në sfond të historisë qëndron edhe një element i padukshëm, por i fuqishëm: fansat e Mother Mary. Edhe pse nuk shfaqen drejtpërdrejt, prania e tyre ndihet në çdo moment. Sipas Hathaway, këta fansa janë njerëz që kërkojnë një ndjenjë përkatësie dhe sigurie – një lloj “ekstaze” ku mund të jenë vetvetja pa frikë.
Në fund, Mother Mary nuk është thjesht një yll pop. Ajo është një figurë që mbart pritshmëri të mëdha dhe sakrifica personale, duke u përpjekur të mos thyejë imazhin që miliona njerëz kanë ndërtuar rreth saj. /GazetaExpress/
Reisebüro Prishtina vazhdon të ofrojë fluturime të rregullta drejt destinacioneve kryesore evropiane. Fluturimet në linjën Berlin – Prishtinë, si...