Gary Neville i ka bërë thirrje Manchester United që të “ndalë eksperimentet” dhe të emërojë një trajner që “i përshtatet ADN-së së klubit”, pas shkarkimit të Ruben Amorim të hënën.
Ish-mesfushori Darren Fletcher ka marrë përkohësisht drejtimin e ekipit deri në emërimin e një trajneri kujdestar, ndërsa klubi planifikon të emërojë trajnerin e përhershëm vetëm në verë.
Ish-mbrojtësi i Anglisë dhe i United, Neville, beson se emërimi i ardhshëm në Old Trafford duhet të reflektojë traditat e klubit.
“Eksperimentet duhet të marrin fund,” tha ai për “Sky Sports”.
“Gjithmonë kam qenë shumë krenar për atë që është ky klub – futboll aventurier, emocionues, aktivizim i lojtarëve të rinj dhe argëtim për tifozët. Ata duhet të marrin rreziqe dhe të kenë guximin të luajnë futboll sulmues dhe agresiv. United ka arritur në një pikë ku i duhet një trajner që i përshtatet ADN-së së klubit. Barcelona nuk ndryshon kurrë për askënd. Nuk besoj se United duhet të ndryshojë për askënd. Klubi duhet të gjejë një trajner me përvojë, i gatshëm të luajë futboll të shpejtë, argëtues, sulmues dhe agresiv”, shtoi ai.
Amorim erdhi tek United me një vizion të qartë taktik, duke preferuar formacionin 3-4-3 që i kishte sjellë sukses te Sporting, por United pati vështirësi të përshtatej.
“Mendoja se do të përshtateshin më mirë me mbrojtjen me tre, por jam vërtet i habitur që kanë vazhduar të luajnë kaq keq në atë sistem,” shtoi Neville.
Duke folur në podcastin “The Rest Is Football”, ish-sulmuesi i Anglisë Gary Lineker tha: “Më dukej sikur ai e provokoi vetë situatën. Nuk dukej se ishte përshtatja e duhur dhe ai ishte pak kokëfortë në mënyrën se si donte të luante. Lojtarët nuk i përshtateshin stilit të tij dhe klubi duhej ta kishte kuptuar këtë”.
Ish-mbrojtësi i Liverpoolit, Jamie Carragher, beson se pasardhësi i Amorim tek United do ta kishte një “punë shumë tërheqëse” për “çdo trajner”.
“Është një nga klubet më të mëdha në botë dhe gjithmonë do të jetë,” tha ai për “Sky Sports”.
“Imagjino të jesh personi që e rregullon gjithçka. Dikush herët a vonë do ta bëjë këtë te United. Klubi është shumë i madh për të dështuar vazhdimisht”, tha ai.
Megjithatë, Neville mendon se do të ishte “e zgjuar” që klubi të presë deri në verë për të emëruar trajnerin e përhershëm.
“Nuk mendoj se aktualisht ka shumë trajnerë të mëdhenj të lirë,” tha ai.
“Shikoni Chelsean me Liam Rosenior – kjo nuk është ajo që Chelsea është mësuar ose duhet të presë. Nuk është mungesë respekti ndaj Roseniorit. Nuk jam i sigurt se ku do të shkonte United, por mendoj se është e mençur të pritet vera, kur mund të ketë më shumë trajnerë të disponueshëm, edhe për shkak të situatës së Kupës së Botës”, vazhdoi ai.
Rene Meulensteen, i cili kaloi gjashtë vite si trajner i ekipit të parë tek United, i bëri thirrje klubit të punësojë një zëvendësues që di si të fitojë në Premierligë.
“Ata nuk duan të bëjnë një tjetër gabim duke zgjedhur shpejt dikë vetëm për të mbushur boshllëkun,” tha ai për “BBC Radio 5 Live”.
“Atyre u duhet dikush me pedigre. Dikush që e kupton Premierligën dhe ka pasur sukses aty. Dikush me personalitet të fortë, karizëm dhe vizion të qartë për ta çuar United përpara”, shtoi ai.
Ish-portieri i United, Mark Bosnich, shtoi: “Duhet të jetë për klubin dhe ekipin që të ecin mirë. Sepse tani tifozët po çmenden – duan të dinë çfarë po ndodh dhe e meritojnë ta dinë. Është një rrëmujë totale”.
Amorim kishte fituar reputacion për konferencat e tij shpërthyese për shtyp që nga ardhja tek United në nëntor 2024.
Në janar 2025, ai e përshkroi ekipin e tij si “ndoshta më i keqi” në historinë 147-vjeçare të klubit.
“Një nga tiparet e tij më të mira dhe më të pëlqyeshme ka qenë gjithmonë mënyra e drejtpërdrejtë në konferenca,” tha ish-mbrojtësi Rio Ferdinand në podcastin e tij.
“Ai ishte pozitiv dhe kishte një mënyrë mjaft shoqërore të të folurit”, vazhdoi anglezi.
Carragher, i cili mendon se Amorim do të ishte “në fund të listës” së trajnerëve që kanë pasuar Sir Alex Ferguson që nga 2013, shtoi: “Pjesa më e mirë e Amorim ishin paraqitjet në konferenca për shtyp – jo lojërat e ekipit. Nganjëherë dukej sikur ishte po aq i mirë si pundit sa Gary Neville. Problemi ishte se ai ishte trajneri”.
“Nuk mendoj se ishin vetëm fjalë boshe,” tha Neville.
“Mendoj se ai e ka menduar çdo fjalë që ka thënë. Ai është një njeri i sinqertë dhe i vërtetë. Por kur paraqitjet dhe rezultatet janë kaq të dobëta, nuk ka rëndësi sa i pëlqyeshëm je – do të shkarkohesh në një klub si United”, e mbylli Neville.
Kapiteni Bruno Fernandes ishte ndër lojtarët e United që i dhanë lamtumirën Amorim në rrjetet sociale.
“Faleminderit, trajner! Ju uroj juve dhe stafit tuaj gjithë të mirat,” shkroi Fernandes, i cili së fundmi kishte thënë se ishte “i lënduar” kur kuptoi se klubi “donte ta shiste” pas ofertës së madhe nga Al-Hilal verën e kaluar.
Mbrojtësi Harry Maguire postoi një foto duke shtrënguar duart me Amorim, duke shtuar: “Faleminderit për gjithçka, boss. Të uroj gjithë të mirat në të ardhmen”./GazetaExpress/