Në seancë të mbyllur nis dëshminë dëshmitari i 57-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët - Gazeta Express
string(91) "ne-seance-te-mbyllur-nis-deshmine-deshmitari-i-57-te-i-zps-se-ne-rastin-thaci-dhe-te-tjeret"

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 10:39

Në seancë të mbyllur nis dëshminë dëshmitari i 57-të i ZPS-së në rastin Thaçi dhe të tjerët

Lajme

Gazeta Express

25/04/2024 10:39

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 57-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Ky dëshmitar mbanë kodin W02951 në këtë proces gjyqësor dhe dëshmia e tij është duke u dëgjuar në seancë të mbyllur për publikun, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lexo Edhe:

Vlen të theksohet se në sallën e gjyqit, të pranishëm janë fizikisht të gjithë të akuzuarit përveç Jakup Krasniqit i cili është përmes video-lidhjes.

Dëshmia e këtij dëshmitari ishte planifikuar të nis ditën e djeshme pasi përfundoi dëshminë i 56-ti, por sipas trupit gjykues, ky dëshmitar nuk ishte gati, kështu që pjesa e fundit e seancës së djeshme u pezullua.

Dëshmitari i 56-të thuhet se ka folur për një person të cilin e ka arrestuar UÇK-ja dhe më pas ka dëgjuar që është keqtrajtuar. Sipas përmbledhjes së ZPS-së, ky person nuk është gjetur kurrë.

Përveç këtij dëshmitari, dëshminë dje e ka mbaruar Ramiz Qeriqi i cili gjatë kohës së luftës ka qenë komandant në batalionin e dytë të Brigadës 121 në Zonën e Pashtrikut. Ai ka folur për kontaktet që kishte pasur me të akuzuarit, pozitat e tyre dhe funksionimin e UÇK-së. Megjithatë, mbrojtja e Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq i ka thënë atij se është i dyshuar në këtë proces gjyqësor.

Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020. /BetimipërDrejtësi/