Në mëngjes ia kërkoi dorëheqjen me mirënjohje, pasdite e shkarkoi - vendimi politik i Osmanit ndaj Dakës - Gazeta Express
string(101) "ne-mengjes-ia-kerkoi-doreheqjen-me-mirenjohje-pasdite-e-shkarkoi-vendimi-politik-i-osmanit-ndaj-dakes"

Në mëngjes ia kërkoi dorëheqjen me mirënjohje, pasdite e shkarkoi – vendimi politik i Osmanit ndaj Dakës

Instant

Liridonë Çeta

14/06/2021 16:37

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, sot ka marrë vendim për shkarkimin e Valdete Dakës nga pozita e kryetares së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Juristi Albert Krasniqi thotë se ky vendim i Osmanit është politik, ndërkaq Ehat Miftaraj nga IKD thotë se arsyet e Presidentes për shkarkimin e Dakës nuk janë bindëse, shkruan Gazeta Express

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në mëngjes i kërkoi kryesueses së KQZ-së, Valedete Dakës, të japë dorëheqje nga pozita e saj, e në këmbim, do të ia jepte një mirënjohje publike për punën e saj aty.

Daka nuk pranoi, duke thënë se detyrën e saj e ka kryer ashtu siç ia obligon Kushtetuta e Kosovës.

Përkundër kësaj, Osmani e shkarkoi Dakën, disa orë pas takimit të përbashkët në Presidencë.

E ky veprim i Osmanit, sipas juristit Albert Krasniqi, është politik.

Ai ka deklaruar për Express se arsyet të cilat i ka dhënë Osmani në vendimin për shkarkimin e Dakës, janë qesharake.

“Kriteret ligjore të cilat parashihen me shkarkimin e kryesues, nuk janë përmbushur. Në atë vendim që e arsyeton shkarkimin, në disa prej pikave, kryesuesja e KQZ-së ka votu kundër. Këto janë arsye qesharake nga Presidentja, komplet të paarsyeshme. Arsyet janë krejt politike, nuk ka asgjë që Daka ka dështu t’i përmbush kriteret ligjore për mbajtjen e zgjedhjeve. Prej vëzhguesve ndërkombëtarë dhe vendorë, zgjedhjet në Kosovë kanë qenë demokratike dhe nuk janë evidentuar shkelje, Daka i ka prirë kësaj performance të KQZ-së”, ka deklaruar Krasniqi.

Krasniqi thotë se është dashur të shkarkohen anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi dhe Alim Rama.

“Nëse dikush është dashur të shkarkohet janë anëtarët e LVV-së që vazhdimisht e kanë fyer zonjën Daka, dhe e kanë shtyrë KQZ-në të marrë vendime antikushtetuese. Nëse dikush ia ka prishë integritetin KQZ-së  janë këta dy anëtarë dhe jo Daka”, ka thënë Krasniqi.

“Kampanja për denigrimin e kryesueses së KQZ-së po kurorëzohet me shkarkimin që ia bëri Presidentja”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndërkaq Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka deklaruar për Express se shkarkimi i kryesuesit të KQZ-së sipas Ligjit dhe Kushtetutës, do të duhej të bëhej vetëm në raste të shkeljeve të rënda.

“Për vetë faktin se me Kushtetutë dhe me Ligj është përcaktuar që gjyqtari i Gjykatës Supreme të jetë kryetar i këtij organi të pavarur dhe shkarkimi nga kjo pozitë do duhej të ndodhte për arsye të shkeljeve të rënda, cenimit të integritetit dhe pavarësisë së KQZ-së. Vendimi i publikuar nga ana e Presidentes, nuk e arsyeton dhe nuk e bind publikun se ky vendim ka qenë duke e respektuar nenin 139 të Kushtetutës dhe nenin 61 te ligjit për zgjedhjet”, ka deklaruar Miftaraj.

Miftaraj tha se Presidentja Osmani duhet ta arsyetojë shkarkimin e Dakës, për të bindur ndërkombëtarët dhe publikun.

“Aq më tepër, Presidenti i republikës në bazë të kushtetutës do të duhej të ishte gardian i funksionimit në mënyrë demokratike të institucioneve kushtetuese ku hyn edhe KQZ. Me siguri se arsyen do të duhej ta tregonte vetë Presidentja, dhe ky arsyetim do duhej të bindë publikun por edhe ndërkombëtarët, se ky vendim s’ka prapavijë politike. Aq më tepër kur kanë filluar takimet dhe konsultimet për zgjedhjet lokale në vjeshtë të këtij viti”, ka deklaruar Miftaraj.

Ndryshe, Daka është emëruar kryetare e KQZ-së më 27 prill të vitit 2018, nga ish-Presidenti Hashim Thaçi, ndërkaq mandati i saj është7-vjeçar.

Ky është mandati i dytë i Dakës në krye të KQZ-së./GazetaExpress/