Në 25 vjetorin e anëtarësimit të Çekisë në NATO- Ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë - Gazeta Express
string(88) "ne-25-vjetorin-e-anetaresimit-te-cekise-ne-nato-ngjarje-qe-ndryshoi-rrjedhen-e-historise"

OP/ED

Gazeta Express

12/03/2024 11:17

Në 25 vjetorin e anëtarësimit të Çekisë në NATO- Ngjarje që ndryshoi rrjedhën e historisë

OP/ED

Gazeta Express

12/03/2024 11:17

Shkruan: Jan Lipavský, Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Çekisë

“Qëllimi ynë i përbashkët, me kalimin e kohës, është të bëjmë për lindjen e Evropës atë që tashmë NATO ka ndihmuar për të bërë për perëndimin e Evropës. Në mënyrë të qëndrueshme dhe sistematike, ne do të vazhdojmë të fshijmë vijën e tërhequr në Evropë nga çizmja e përgjakshme e Stalinit”, tha Sekretarja e atëhershme e Shtetit, Madeleine Albright njëzet e pesë vjet më parë, derisa mirëpriste anëtarët e parë (të rinj) të NATO-s, që nga fundi i Luftës së Ftohtë.

Lexo Edhe:

Fatkeqësisht, sot në Evropë po vihet një vijë e re – nga një diktator me një emër tjetër, i cili pa turp kryen të njëjtat krime, të tmerrshme si ai i mëparshmi.

Një mësim nga e kaluara

Njëzet e pesë vjet më parë, më 12 mars, Çekia, Polonia dhe Hungaria u bënë vendet e para nga ish – “Blloku Lindor” që u bashkuan me NATO-n. Kjo ngjarje ndryshoi rrjedhën e historisë, si për Çekinë ashtu edhe për NATO-n.

Integrimi i suksesshëm i këtyre tri vendeve në politikat dhe strukturat e NATO-s ndihmoi në hapjen e dyerve për vendet e tjera të Evropës Qendrore, Lindore dhe Jug-lindore. Qysh në vitin 2002, Praga priti një Samit të NATO-s ku u mor një vendim për një valë tjetër zgjerimi.

Zgjerimi i NATO-s në Evropën Qendrore dhe Lindore ishte me rëndësi dhe urgjencë më të madhe sesa mund ta imagjinonin arkitektët e saj. Si do të dukej Evropa sot nëse liderëve të Perëndimit në atë kohë t’u duheshin 10 vjet për ta menduar mirë? Nëse Çekia, e udhëhequr nga Václav Havel, nuk do të përdorte lirinë e saj të sapo fituar, kapitalin politik dhe vendosmërinë për t’u bashkuar me Perëndimin? NATO, ndoshta nuk do të kishte gjetur kurrë guximin për t’u angazhuar në mbrojtjen e Evropës Qendrore. Ndoshta, sot do të kishim frikë se do të mbizotëronte lodhja perëndimore me Evropën Qendrore dhe se, në interes të paqes, Perëndimi do të pranonte ndikimin ose kontrollin rus të Rigës, Varshavës, madje edhe Pragës?

Ne demonstrojmë përkushtimin tonë të palëkundur për sigurinë e përbashkët përmes përpjekjeve tona diplomatike të përditshme, përfshirjes sonë aktive në operacionet aktuale dhe historike të Aleatëve – si ato në Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme – dhe mbështetjen tonë të palëkundur për mbrojtjen e Ukrainës, ilustruar nga iniciativat si programi i fundit i municionit.

Pushtimi rus i Ukrainës në vitin 2014 dhe përshkallëzimi i mëvonshëm në 2022, shërbeu si një kujtesë e fortë e rolit vendimtar të NATO-s në mbrojtjen

kolektive. Tani po përgatitemi për një kapitull të ri në historinë e Aleancës së NATO-s. Ukraina, e cila i ka dalë me guxim ushtrisë ruse, e gjen veten në një situatë të vështirë. Pavarësisht se nuk është integruar në NATO apo BE, Ukraina ka sakrifikuar shumë më tepër për vlerat perëndimore se çdo vend tjetër që nga Lufta e Dytë Botërore. Ne nuk duhet të heqim dorë nga partneri ynë. Ne duhet t’i ofrojmë garanci të besueshme sigurie.

Në botën e sotme, derisa regjimet autoritare përbëjnë kërcënim për sigurinë dhe mënyrën tonë të jetesës, ne jemi dëshmitarë të pasojave të mungesës së rregullave. Me dyshimet për kohezionin dhe të ardhmen e Aleancës që dalin nga vende të ndryshme në Evropë dhe SHBA, është e qartë se një NATO më e fortë është thelbësore, tash më shumë se kurrë. Derisa, bota ka qenë gjithmonë një vend i ndërlikuar, vjen një moment kur veprimi është i nevojshëm. Vëzhgimi i  një problemi mund të duket më i lehtë, por shpesh çon në një rrugë pa krye. Që nga viti 1999, Çekia ka qëndruar krah për krah me aleatët e saj dhe së bashku, ne përparojmë, duke trasuar rrugën përpara.