NBA: Lakers humbin në Memphis - Gazeta Express

Basketboll

Gazeta Express

01/03/2020 12:56

NBA: Lakers humbin në Memphis

Basketboll

Gazeta Express

01/03/2020 12:56

Memphis Grizzlies i ka dhënë fund serisë prej 5 humbjesh radhazi, pasi ia doli të triumfojë me shifrat 105-88 përballë kryesuesve të Konferencës së Perëndimit, Los Angeles Lakers, që regjistruan kështu humbjen e 13 sezonale.

Në “FedEx Forum” të Memphisit, vendasit patën kontrollin e lojës në tre fraksionet e para të lojës, të udhëhequr edhe nga një ndeshje mjaft e mirë e basketbollistit amerikan Morant, që shënoi 27 pikë, rikuperoi 6 topa dhe dha 14 asiste.

Lakers u zgjuan vetëm në fraksionin e fundit, por fitorja me 3 pikë diferencë nuk ndikoi aspak në rezultatin final, ndërsa në këtë takim mbetën në hije yjet e skuadrës kaliforniane si LeBron James dhe Anthony Davies.

Houston Rockets vijon ngritjen në renditje, pasi në transfertën ndaj Boston Celtics mori fitoren e 6 radhazi, ndonëse vuajti jo pak dhe për të dalë triumfuese iu desh të luante edhe kohën shtesë, duke qenë se koha e rregullt u mbyll në barazim.

Vendasit e udhëhequr nga Tatum dhe Smart patën kontrollin e lojës në gjysmën e parë të saj dhe krijuan një epërsi të konsiderueshme, por pësuan një “black out” total në fraksionin e tretë, ku edhe humbën avantazhin, ndërsa zgjimi në fund nuk i çoi më shumë se barazimi.

Nga ana tjetër, Rockets, të udhëhequra nga Westbrook, që shënoi 41 pikë, dha 5 asiste dhe rikuperoi 8 topa, arritën të fitojnë me vetëm një pikë diferencë kohën shtesë dhe gjithë takimin me rezultatin 110-111.

Rikthehet te fitorja edhe Golden State Warriors, që triumfoi në transfertën ndaj Phoenix Suns me shifrat 99-115, megjithatë ky rezultat nuk mjafton aspak për t’iu larguar fundit të renditjes në Konferencën e Perëndimit, aty ku kanë mbetur që prej fillimit të sezonit.

Në sfidat e tjera, San Antonio Spurs fituan me vetëm një pikë diferencë përballë Orlando Magic, Atlanta Hawks triumfoi 129-117 ndaj Portland Trail Blazers dhe Indiana Pacers mposhti 103-111 Cleveland Cavaliers në transfertë.