NASA sqaron “defektin” në kapsulën Orion: Nuk ka arsye për shqetësim - Gazeta Express
string(65) "nasa-sqaron-defektin-ne-kapsulen-orion-nuk-ka-arsye-per-shqetesim"

Mistere

Gazeta Express

15/04/2026 18:18

NASA sqaron “defektin” në kapsulën Orion: Nuk ka arsye për shqetësim

Mistere

Gazeta Express

15/04/2026 18:18

Gjatë rikthimit në Tokë të kapsulës Artemis II, shumë përdorues në rrjetet sociale vunë re një detaj që shkaktoi shqetësim: një zonë e madhe që dukej sikur mungonte ose ishte dëmtuar në mburojën termike të kapsulës Orion.

Kjo ngriti dyshime, sidomos pasi ekspertët kishin paralajmëruar më herët se shtresa mbrojtëse, rreth 7–8 cm e trashë, mund të dëmtohej gjatë hyrjes në atmosferë.

Por NASA ka reaguar duke siguruar se nuk ka asnjë problem.

Sipas agjencisë, ajo që dukej si një “copë e munguar” ishte thjesht një njollë e krijuar nga djegia e materialeve gjatë rikthimit në atmosferë.

Administratori i NASA-s, Jared Isaacman, theksoi se inxhinierët e kanë inspektuar menjëherë kapsulën pas uljes në det dhe nuk kanë konstatuar asnjë situatë të papritur.

Si funksionon mburoja termike?

Kapsula Orion përdor një mburojë termike të tipit “ablativ”, të bërë nga materiali Avcoat. Ky material është projektuar të digjet dhe të shpërbëhet gjatë hyrjes në atmosferë, duke shpërndarë nxehtësinë ekstreme – njësoj si sistemi mbrojtës i makinave gjatë përplasjeve.

Në misionin Artemis I, kjo mburojë u dëmtua më shpejt nga sa pritej, duke humbur pjesë të konsiderueshme gjatë rikthimit. Për këtë arsye, NASA ndryshoi trajektoren për Artemis II, duke zgjedhur një hyrje më të drejtpërdrejtë në atmosferë.

Çfarë shkaktoi “njollën”?

Sipas shpjegimeve zyrtare, zona e zbardhur lidhet me një pjesë specifike të strukturës së kapsulës, ku ndodhen bulona titani që lidhen me modulin evropian të shërbimit.

Gjatë rikthimit, këto elemente ekspozohen ndaj temperaturave ekstreme dhe mund të krijojnë mbetje si oksid titani – që shfaqet si njollë e bardhë, pa qenë dëmtim real i mburojës.

Edhe dëshmitarë në vendngjarje konfirmuan se bëhej fjalë vetëm për çngjyrosje, jo për vrima apo dëmtime strukturore.

Nuk u konstatua asnjë problem

NASA theksoi se kjo sjellje ishte e parashikuar dhe ishte vërejtur edhe gjatë testeve laboratorike. Agjencia do të kryejë një analizë të plotë të të dhënave dhe do t’i publikojë rezultatet.

Nëse konfirmohet përfundimisht, kjo do të thotë se mburoja termike e Orion funksionoi sipas pritshmërive, pavarësisht shqetësimeve të mëparshme.

Në thelb, ajo që u interpretua si dëmtim nga publiku rezulton të jetë një efekt normal i kushteve ekstreme gjatë rikthimit në Tokë – dhe jo një problem teknik. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement