Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa, me gjasë nuk do të shihen as sot. Kështu të paktën kanë deklaruar deri më tani dy partitë për Gazetën Express.
Takimi i fundit në mes të Albin Kurtit e Isa Mustafës, që u mbajt të shtunën dhe zgjati më shumë se tre orë, shpërfaqi edhe njëherë dallim që kanë këto dy parti që së bashku po tentojnë të merren vesh për koalicion.
Derisa të dyjave u kanë mbetur edhe disa ditë deri në seancën konstituive të Kuvendit, që u thirr nga presidenti Hashim Thaçi, pak progres është shënuar në bisedimet që po bëjnë Kurti dhe Mustafa.
Gjithçka ka ngecur te puna e presidentit të ardhshëm, që do ta pasojë Thaçin, e që LDK-ja e ka kërkuar për vete, si pjesë të marrëveshjes.
Partia e udhëhequr nga Kurti nuk është pajtuar ende që t’ia japë këtë pozitë LDK-së, derisa të gjitha takimet që janë mbajtur ditëve të fundit, u fol për këtë çështje.
LDK-ja e VV-ja si duket po reflektojnë për kushtet që ua kanë vënë njëra-tjetrës, derisa as për sot nuk është paraparë ndonjë takim, së paku deri më tani.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës, një burim brenda kryesisë ka bërë të ditur për Gazetën Express se deri më tani nuk janë dakorduar për ndonjë takim, e nëse ka diçka të tillë, do të lajmërojë kreu i partisë.
Njësoj, po deklarohet edhe partia e Kurtit. Sekretariati për media i LV-së ka deklaruar se deri më tani nuk ka diçka të planifikuar.
Kujtojmë që LDK-ja e VV-ja tashmë janë marrë vesh për ndarje të pozitave të rëndësishme në qeverinë e ardhshme, në rast se merren vesh për koalicion. Posti i vetëm që nuk po darkodohen është ai i presidentit. /GazetaExpress/