Portieri i Kosovës, Arijanet Muric, synon një garë “dhëmbë për dhëmbë” me Zvicrën për vendin e parë në grupin kualifikues të Kupës së Botës 2026, shkruan Gazeta Express.
Në një podcast të publikuar në kanalin zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës në YouTube, Muric tha se objektivi i tyre është vendi i parë në grup, duke theksuar se ekipi po kalon një formë të mirë fizike dhe psikologjike, dhe ka gjasa reale për fitore në ndeshjen kundër Sllovenisë.
Megjithatë, gardiani i Sassuolos shprehu keqardhje që nuk do të mund të luajë për shkak të pezullimit me kartonë.
“Kam besim të plotë te portierët e tjerë — ata stërviten njësoj si unë dhe japin maksimumin çdo ditë për t’u përmirësuar. Jam i sigurt që janë gati,” u përgjigj Muric kur u pyet nëse beson te bashkëlojtarët e tij në portë.
Kombëtarja e Kosovës do të zhvillojë ndeshjen e parafundit të kualifikimeve për Botërorin kundër Sllovenisë, më 15 nëntor.
/Gazeta Express/