I ftuar në emisionin “Tempus” në T7, eksperti i çështjeve sociale Vebi Mujku ka folur për fenomenin e ndryshimeve në tregun e punës në Kosovë, duke theksuar se vendi po përballet me largimin e fuqisë punëtore vendore, ndërsa në të njëjtën kohë po rritet prania e punëtorëve të huaj.
“Një element që po hezitojmë ta përmendim, e unë mendoj që duhet ta përmendim, është angazhimi i të huajve në vendin e punës. Ka kërkesa të mëdha dhe ne e dimë se edhe përmes legjislacionit kemi persona që vijnë nga vende të huaja në Kosovë”, u shpreh Mujku.
Ai theksoi se një pjesë e këtyre punëtorëve vijnë nga vende si Bangladeshi dhe shtete të tjera të Azisë, ku niveli i pagave është më i ulët, ndërsa baza ligjore në fuqi ua mundëson atyre të punojnë për një periudhë të caktuar në Kosovë dhe më pas të largohen.
Megjithatë, sipas tij, problem mbetet çështja e regjistrimit dhe monitorimit të këtyre punëtorëve.
“Shumë prej tyre kemi problem nëse janë të regjistruar. Shumica e tyre janë persona të huaj për të cilët nuk e dimë saktë se cila është veprimtaria e tyre”, theksoi ai.