Trajneri i Tottenhamit, Jose Mourinho, tha se të gjithë lojtarët e lënë në stol për Leipzigun në ndeshjen e së martës mes dy skuadrave do të kishin zënë vend në formacionin e parë të skuadrës së tij, pasi që portugezi po përballet me mungesa të mëdha shkaku i lëndimeve në skuadër.
Tottenhami po kalon nëpër një situatë të vështirë për momentin dhe ecuria prej gjashtë ndeshjeve të zhvilluara pa marrë fitore bëri që klubi londinez të eliminohet dje nga Liga e Kampionëve, transmeton Gazeta Express.
Dy gola të shënuara nga Marcel Sabitzer, të ndihmuara nga gabimet e portierit Hugo Lloris, ia dhanë Leipzigut epërsinë në ndeshjen kthyese të 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve mes Tottenhamit dhe Leipzigut.
Emil Forsberg e shënoi golin e fundit në këtë ndeshje, duke bërë që Leipzigu të kualifikohet në çerekfinale të Ligës së Kampionëve me rezultat të përgjithshëm 4:0.
Mourinho është detyruar të luajë me Dele Allin si sulmues kryesor, ndërsa në krahët e sulmit me Loucas Mouran e Erik Lamela, për shkak të lëndimeve të Harry Kane, Heung-Min Son, Steven Bergwijn, Ben Davies, Davinson Sanchez dhe Moussa Sissoko.
Për shkak të këtyre mungesave, Mourinho pretendoi se lojtarët e lënë në stol për Leipzigun, si Youssuf Poulsen, Dani Olmo dhe Ademola Lookman do të ishin titullarë për Tottenhamin për momentin.
“Ne kemi shumë probleme dhe është me të vërtetë shumë e vështirë. Unë isha pozitiv dje, por ashtu duhet të jem. Realiteti është më ndryshe – njëra skuadër është shumë më e fortë”.
“Natyrisht se ishte e vështirë dhe Leipzigu e meritoi të kalonte në çerekfinale. Çdo skuadër në botë do ta kishte të vështirë po t’i mungonte pesë apo gjashtë lojtarët më të rëndësishëm. Të gjithë lojtarët në stolin e Leipzigut do të luanin për momentin në skuadrën time”. /Gazeta Express/