Luka Modric e ka shprehur edhe një herë dashurinë e tij për Milanin duke folur për mediat italiane.
Ndër të tjera, veterani i mesfushës, i cili do ta nisë sezonin e dytë me “Rossoneri”, ka folur edhe për objektivat që i ka me fanellën kuqezi.
“Kur erdha për herë të parë këtu, thashë se dua të fitoj me Milanin dhe kjo mbetet ëndrra ime. Dua ta fitoj një ose më shumë trofe me këtë klub. Nuk ka rëndësi nëse do të jetë kampionati apo një tjetër kompeticion, por ky është synimi im. Për këtë arsye kam ardhur këtu. Nuk kam ardhur për t’u argëtuar apo për ta kaluar kohën pa menduar për fitoret. Kjo është ëndrra dhe objektivi im për këtë sezon”, deklaroi ish-futbollisti i Tottenhamit dhe Real Madridit, përcjell “Gazeta Express”.
Më pas ai foli edhe për vendimin për të vazhduar me Milanin: “Përfundimi i sezonit të kaluar nuk ndikoi në zgjedhjen time. Para së gjithash, doja të rikthehesha sepse ndihem shumë mirë këtu. Klubi, tifozët, të gjithë më kanë treguar shumë dashuri. Më kanë qëndruar pranë në çdo mënyrë dhe kjo ishte arsyeja kryesore pse doja të vazhdoja me Milanin. Sigurisht, duhet ta pranoj se mënyra se si përfundoi sezoni nuk ishte ajo që e prisja, por mbi të gjitha doja të rikthehesha te Milani dhe edhe një herë klubi më tregoi sa shumë më dëshironte. Ende e ndiej të njëjtin pasion, të njëjtën dëshirë dhe dua të vazhdoj ta shijoj futbollin.”
Në fund, Modric e ndau edhe një dëshirë shumë emocionale: “Mund të jetë një objektiv i madh për ne që ta fitojmë një trofe dhe t’ia dedikojmë Franco Baresit, për gjithçka që ai përfaqëson për këtë klub. Do të ishte diçka e jashtëzakonshme ta fitonim një trofe dhe t’ia kushtonim atij. Do të ishte vërtet e mrekullueshme dhe do të punojmë fort që ta arrijmë këtë.” /Gazeta Express