Një ushtar rus në Krime hapi zjarr dhe vrau katër persona – një koleg të tij dhe tre civilë – në atë që duket të ketë qenë një sulm i rastësishëm me armë.
Ushtari fillimisht qëlloi ndaj kolegëve të tij, duke vrarë një dhe duke plagosur një tjetër.
Më pas, sipas një zyrtari, ai e drejtoi armën ndaj civilëve, duke vrarë tre persona në fshatin Khmelnytske.
Sipas BBC-së, viktimat ishin dy burra, të moshës 71 dhe 59 vjeç, si dhe një grua 64-vjeçare, raporton The Independent, transmeton Gazeta Express.
Tre persona të tjerë mbetën të plagosur, tha Mikhail Razvozhayev, guvernatori i emëruar nga Rusia për rajonin e Sevastopolit. Ai bëri të ditur se autori i sulmit është arrestuar.
Nuk është dhënë asnjë informacion mbi motivin e sulmit.
“Të gjitha rrethanat dhe shkaqet e incidentit po hetohen,” tha Razvozhayev, duke u bërë thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe të mos përhapin thashetheme.
Ai shtoi se personeli mjekësor po “bën gjithçka të mundur për të shpëtuar” të plagosurit, ndërsa ende nuk është e qartë nëse numri i viktimave mund të rritet.
Krimea është një gadishull strategjik dhe shumë i militarizuar në Detin e Zi, të cilin Rusia e pushtoi dhe e aneksoi nga Ukraina në vitin 2014.
Që atëherë, Rusia e kontrollon rajonin.
Aneksimi i Krimesë është refuzuar nga pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar, i cili e konsideron atë kryesisht si territor të pushtuar të Ukrainës.
Në Krime ndodhet një prani e madhe ushtarake ruse, ndërsa Ukraina e ka shënjestruar rajonin me sulme me dronë dhe raketa.