Mobilizimi ushtarak serb afër kufirit me Kosovën, reagon Ambasadori Hovenier - Gazeta Express
string(75) "mobilizimi-ushtarak-serb-afer-kufirit-me-kosoven-reagon-ambasadori-hovenier"

Mobilizimi ushtarak serb afër kufirit me Kosovën, reagon Ambasadori Hovenier

Lajme

Gazeta Express

30/09/2023 11:15

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovën, raporton Express.

Ai ka shpërndarë njoftimin e Shtëpisë së Bardhë për telefonatën që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka realizuar mbrëmë me Kryeministrin Albin Kurti, derisa ka bërë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm si dhe zbatim të marrëveshjes nga të dy palët.

Lexo Edhe:

“Telefonata e rëndësishme mes Këshilltarit Sullivan dhe Kryeministrit Albin Kurti. Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth mobilizimit ushtarak të Serbisë afër kufirit me Kosovëm. Bëjmë thirrje për de-eskalim të menjëhershëm dhe konsiderojmë se implementimi i plotë i marrëveshjes nga të dy palët, e arritur në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian që të arrihet stabilteti”, ka shkruar Hovenier në platformën “X”.

Ndryshe, Shtëpia e Bardhë ka dalë me një njoftim lidhur me bisedën telefonike që Këshilltari për Çështje të Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, Jake Sullivan, ka zhvilluar mbrëmë me kryeministrin Albin Kurti.

Në njoftim thuhet se Sullivan ka shprehur shqetësim lidhur me mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën, raporton Express.

Ai ka përmendur vendimin e fundit të NATO’s për të shtuar prezencën në Kosovë, derisa ka thënë se dialogu i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në gjithë vendin.

“Ndihmësi i Presidentit për Çështje të Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan ka biseduar sot në telefon me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Z. Sullivan përcolli ngushëllimet për humbjen e policit të Kosovës të vrarë në krye të detyrës gjatë sulmeve të dhunshme të ndodhura më 24 shtator. Ai gjithashtu shprehu shqetësimin për mobilizimet ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën. Ai vuri në dukje vendimin e fundit të NATO-s për të forcuar praninë dhe aktivitetin e Forcave të NATO-s në Kosovë (KFOR), veçanërisht në veri të Kosovës, dhe nënvizoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar me aleatët tanë për të siguruar që KFOR-i të ketë burimet e duhura për të përmbushur misionin e tij. Gjithashtu, z. Sullivan dhe kryeministri Kurti diskutuan për dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin z. Sullivan theksoi se është e vetmja zgjidhje afatgjatë për të garantuar stabilitet në mbarë Kosovën”, thuhet në njoftim.