Ministria e Financave: Gjermania zoton 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në BE - Gazeta Express
string(103) "ministria-e-financave-gjermania-zoton-90-milione-euro-per-punesim-energji-dhe-integrim-te-kosoves-ne-be"

Ministria e Financave: Gjermania zoton 90 milionë euro për punësim, energji dhe integrim të Kosovës në BE

Lajme

Gazeta Express

30/04/2024 15:38

Pas përfundimit të negociatave mes Kosovës dhe Gjermanisë, Qeveria Gjermane zotoi një mbështetje shtesë prej 90 milionë euro për Republikën e Kosovës për periudhën 2024/2025, prej të cilave 20 milionë euro janë në formë të granteve, njofton Ministria e Financave, e cila thotë se “kjo marrëveshje e re shënon rritje të theksuar të vlerës së mbështetjes krahasuar me atë paraprake për periudhën 2022/2023, që ishte në vlerë prej 37 milionë euro, duke dëshmuar kësisoj thellimin e bashkëpunimit në mes të të dyja vendeve”.

“Këto mjete do të destinohen për të mbështetur integrimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe ndër të tjera fokusohen në investime në sektorin e energjisë, përkatësisht procesit të dekarbonizimit, garantim të zhvillimit ekonomik të qëndrueshëm, ofrim të trajnimeve dhe punësimit si dhe mbështetje të komunave, veçanërisht në menaxhimin e mbeturinave dhe ruajtjen e mjedisit”, thuhet në njoftimin e MFPT-së.

Lexo Edhe:

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati theksoi bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë Gjermane duke përmendur disa projekte të rëndësishme që janë zbatuar në kuadër të këtij bashkëpunimi, siç është projekti për ndërtimin e ngrohtores diellore dhe rehabilitimin e ujërave të zeza në Prishtinë, menaxhimit të mbeturinave në të gjithë Kosovën si dhe themelimin e Parkut të Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) në Prizren.

“Sa i përket mbështetjes së zotuar sot, Ministri Murati falënderoi Qeverinë Gjermane, duke potencuar se një mbështetje e tillë forcon edhe më tutje marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve, promovon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe e përafron atë me Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.