Ministri i Punëve të Brendshme i Maqedonisë së Veriut, Pançe Toshkovski, deklaroi se pika kufitare në Tabanoc është shndërruar në një shembull pozitiv të funksionimit efikas të kontrollit kufitar, duke theksuar se koha e pritjes për qytetarët është ulur ndjeshëm krahasuar me vitet e kaluara.
Sipas Toshkovskit, më herët qytetarët prisnin deri në katër orë për ta kaluar kufirin, ndërsa tani pritjet janë reduktuar në maksimum 30 minuta gjatë këtyre ditëve.
“Një prej shembujve pozitivë për mënyrën se si duhet të funksionojë një pikë kufitare është pikërisht ajo e Tabanocit. Vërtet arritëm që periudha kohore për transit të qytetarëve tanë, që më herët arrinte deri në katër orë pritje, sot të ulet në maksimum gjysmë ore”, deklaroi Toshkovski.
Ai shtoi se me rritjen e fluksit gjatë sezonit, pritjet mund të zgjasin deri në një orë, por theksoi se nuk pritet të rikthehen vonesat shumëorëshe që kanë qenë të zakonshme në të kaluarën.
“Në të ardhmen, kur të shtohet fluksi dhe të jenë ditët më të frekuentuara, pritjet mund të rriten deri në një orë, por assesi aq sa ishim mësuar vitet e kaluara të prisnim më shumë se katër orë”, u shpreh ministri.
Toshkovski bëri të ditur gjithashtu se përveç uljes së kohës së pritjes, është regjistruar edhe një rritje prej rreth 15 për qind e numrit të udhëtarëve që kalojnë përmes pikës kufitare në Tabanoc.
tag_katrorimaqedoni_2