Mes tensioneve, parlamenti i Gjeorgjisë rinis debatin për “agjentët e huaj” - Gazeta Express
string(72) "mes-tensioneve-parlamenti-i-gjeorgjise-rinis-debatin-per-agjentet-e-huaj"

Lajme

Gazeta Express

01/05/2024 9:52

Mes tensioneve, parlamenti i Gjeorgjisë rinis debatin për “agjentët e huaj”

Lajme

Gazeta Express

01/05/2024 9:52

Parlamenti i Gjeorgjisë mbeti në gjendje gatishmërie të sigurisë pas përleshjeve gjatë orëve të hershme të 1 majit midis policisë dhe protestuesve që kundërshtojnë projektligjin për agjentët e huaj. Ky projektligj konsiderohet nga shumë si pasqyrim i një ligji të përdorur nga qeveria ruse për të mbytur disidencën në atë vend.

Deputetët planifikohej të rifillonin diskutimin e projektligjit gjatë një sesioni të 1 majit dhe pritej të votonin në leximin e dytë të tij.Në orët e vona të 30 prillit, forcat gjeorgjiane të sigurisë përdorën gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë mijëra protestues. Një numër i panjohur protestuesish u arrestuan dhe disa u plagosën.Një gazetar i shërbimit gjeorgjian të Radios Evropa e Lirë raportoi dy incidente në të cilat një individ i maskuar goditi me grushte në fytyrë protestuesit.Kjo ishte protesta më e fundit e një serie protestash masive gjatë dy javëve të fundit kundër legjislacionit të paraqitur nga partia qeverisëse Ëndrra Gjeorgjiane.

Kritikët e quajnë projektligjin “ligji rus” dhe presidentja Salome Zurabishvili, që është distancuar nga politikat e partisë në pushtet, ka premtuar se do të përdorë veton e saj ndaj këtij projektligji nëse ai miratohet zyrtarisht në një lexim të tretë, siç pritet.

Lexo Edhe:

Megjithatë, qeveria ka votat për ta anashkaluar një veto dhe ka thënë se do ta bëjë këtë. Ligjvënësit përfunduan seancën më 30 prill pa votim.

Levan Ioseliani, avokati i popullit i Gjeorgjisë, tha se kishte raportime për përdorim të tepërt të forcës nga oficerët e zbatimit të ligjit që qarkullonin në rrjete sociale dhe u bëri thirrje protestuesve “të mos shkojnë përtej tubimit paqësor”.

Ioseliani paralajmëroi se përdorimi i çdo lloj force apo mjeti special nga oficerët e zbatimit të ligjit “duhet të plotësojë testin e rreptë të domosdoshmërisë dhe proporcionalitetit”. Nuk lejohet përdorimi i sprejit të piperit drejt fytyrës, tha ai, duke shtuar se përdorimi i ndonjë mjeti të veçantë duhet të paraprihet me një paralajmërim.

Më 30 prill, kolektivi ndërkombëtar i hakerëve Anonymous shprehu mbështetje për protestuesit dhe paralajmëroi policinë gjeorgjiane se “sulmimi i protestuesve do të rezultojë në lëshimin e informacionit për të gjithë zyrtarët tuaj të qeverisë”.

Në një postim në X, që më parë njihej si Twitter, grupi kërcënoi se do të hakonte dhe lëshonte bazat e të dhënave dhe e-mail, duke thënë “ky është paralajmërimi i parë dhe i vetëm”./REL/