Personat që vuajnë nga mëlçia e dhjamosur mund të jenë më të rrezikuar nga një prej formave më agresive të kancerit të zorrës së trashë, sipas një studimi të ri shkencor.
Hulumtimi, i publikuar në revistën shkencore Nature, tregon se pacientët me mëlçi të dhjamosur kanë më shumë gjasa të zhvillojnë metastaza agresive në mëlçi, në rastet kur kanceri kolorektal përhapet nga zorra në organe të tjera.
Sipas studiuesve nga KU Leuven dhe Leuven Cancer Institute në Belgjikë, dhjamosja e mëlçisë nuk është thjesht një problem metabolik i sfondit, por mund të ndikojë drejtpërdrejt në mënyrën se si sillet dhe përhapet kanceri.
Në mëlçitë e dhjamosura, nivelet e larta të acideve yndyrore ndryshojnë sjelljen e qelizave kancerogjene duke stabilizuar një proteinë të njohur si MYC, e cila lidhet me rritjen e kancerit. Ky proces rrit prodhimin e prolinës, një aminoacid që ndihmon në formimin e kolagjenit.
Kolagjeni i tepërt krijon një lloj strukture mbështetëse që u mundëson qelizave tumorale të depërtojnë dhe të zgjerohen më lehtë brenda mëlçisë, duke zëvendësuar gradualisht indin e shëndetshëm.
Profesorja Sarah-Maria Fendt, autore kryesore e studimit, shpjegon se mëlçia e dhjamosur u ofron tumoreve si sinjalin, ashtu edhe “materialin ndërtues” që u nevojitet për t’u zhvilluar në mënyrë më agresive.
Zbulimi konsiderohet i rëndësishëm për shkak të rritjes së shpejtë të rasteve të mëlçisë së dhjamosur në botë, një gjendje që lidhet shpesh me mbipeshën

Në të njëjtën kohë, në disa vende po rritet edhe numri i personave nën moshën 50 vjeç që diagnostikohen me kancer të zorrës së trashë. Ekspertët kanë përmendur prej kohësh faktorë si obeziteti, ushqimi i përpunuar, jeta sedentare dhe gjumi i dobët si elemente që mund të ndikojnë në këtë trend, megjithëse ende nuk është identifikuar një shkak i vetëm.
Studiuesit theksojnë se gjetjet e reja mund të ndihmojnë mjekët të përcaktojnë më mirë cilët pacientë janë më të rrezikuar dhe cilët mund të përfitojnë nga trajtime më të personalizuara. Në modelet laboratorike dhe indet e marra nga pacientët, ndërhyrja në disa hapa të këtij procesi — si proteina MYC, prodhimi i aminoacideve apo formimi i kolagjenit — uli rritjen e tumoreve agresive.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se ky studim nuk do të thotë se çdo person me mëlçi të dhjamosur do të zhvillojë kancer. Ai tregon se shëndeti metabolik i organizmit mund të ndikojë në mënyrën se si përparon sëmundja te pacientët me kancer kolorektal.
Për parandalim, specialistët vazhdojnë të rekomandojnë ruajtjen e një peshe të shëndetshme, aktivitet të rregullt fizik, shmangien e duhanit, kufizimin e alkoolit dhe një dietë të balancuar me sa më pak ushqime të përpunuara. /GazetaExpress/