Me liberalizimin e vizave, Kosova hedh hap përpara drejt BE-së. Së bashku mund të bëjmë më shumë! - Gazeta Express
string(94) "me-liberalizimin-e-vizave-kosova-hedh-hap-perpara-drejt-be-se-se-bashku-mund-te-bejme-me-shume"

Me liberalizimin e vizave, Kosova hedh hap përpara drejt BE-së. Së bashku mund të bëjmë më shumë!

OP/ED

Gazeta Express

01/01/2024 17:33

Teksa reflektoj për arritjet e vitit 2023 dhe vendos synime për vitin 2024, jam krenar që gjëja e parë që duhet festuar këtë Vit të Ri është liberalizimi i shumëpritur i vizave për Kosovën. Prej sot, poseduesit e pasaportës së Kosovës do të mund të udhëtojnë në zonën Shengen për qëndrime afatshkurtra pa aplikuar për vizë.

Shkruan Tomáš Szunyog, ambasador i Bashkimit Europian në Kosovë

Lexo Edhe:

Jam shumë i lumtur ta festoj këtë moment historik të rëndësishëm së bashku me ju. Është rezultat i një pune shumëvjeçare të përbashkët mes institucioneve të Kosovës, qeverive, institucioneve të BE-së, shteteve anëtare të BE-së, shoqërisë civile, mediave dhe të tjerëve. Ky vendim për liberalizimin e vizave tregon se Kosova e ka kapacitetin që ta gëzojë këtë të drejtë dhe të marrë përgjegjësinë për të.

Ky vendim është vërtet i rëndësishëm.

Pikë së pari, është njohje i punës së palodhur që ka bërë Kosova dhe shenjë vlerësimi për shoqërinë, e cila është aq mbështetëse për integrimin në BE.

Së dyti, është ftesë për ta eksploruar Evropën: ne duam t’ju njohim më mirë dhe duam që ju të na njihni më mirë. Kosova dhe populli i saj na kanë mirëpritur për vite me radhë. Tani është radha jonë t’ju mirëpresim. Tani mund të eksploroni qytete të reja, të shkoni për vizitë te të afërmit dhe miqtë, të merrni pjesë në koncerte muzikore dhe lojëra futbolli, të lidheni me botën akademike, të mësoni gjuhë jashtë vendit, të lidheni me artistë, të merrni pjesë në panaire kulturore, konferenca dhe takime dhe më shumë. Me pak fjalë, ju do të jeni në gjendje të njihni, ndjeni, ta shijoni më mirë BE-në dhe të eksploroni diversitetin që na bashkon. Përdoreni këtë mundësi me mençuri, për zhvillimin tuaj personal, akademik dhe profesional. Udhëtimi pa viza synon të nxisë turizmin, të lehtësojë transaksionet e biznesit dhe të nxisë lidhjet arsimore dhe kulturore mes nesh. Ky vendim do të sjellë përfitime ekonomike, arsimore, sociale dhe kulturore për të dy palët: Kosovën dhe BE-në.

Për fundi, liberalizimi i vizave do ta afrojë Kosovën me BE-në: është një hap thelbësor në procesin e zgjerimit; proces, në të cilin Kosova gradualisht i përmbush kushtet politike dhe ekonomike për t’u anëtarësuar në BE. Me këtë proces ne po përgatisim terrenin për anëtarësim të ardhshëm dhe veç po sjellim përfitime konkrete për qytetarët.

Procesi i zgjerimit ka fituar momentum të ri në vitin 2023. Në mjedisin gjeopolitik që po ndryshon me shpejtësi, BE-ja është e gatshme të ngrihet në lartësinë e duhur dhe t’i afrojë edhe më shumë anëtarët aspirantë.Ekziston një perspektivë e fortë e anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor, Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, siç e konfirmoi Këshilli Evropian me vendimet e fundit.

Sapo kemi përfunduar Samitin BE-Ballkani Perëndimor. Ky ishte samiti i katërt i këtij lloji për katër vjet. Kjo tregon dëshirën për t’i dhënë më shumë forcë dhe fuqi marrëdhënieve midis BE-së dhe Ballkanit Perëndimor. Samiti riafirmoi perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor dhe e bëri të qartë se partnerët duhet t’i përshpejtojnëreformat. Natyrisht, këtu përfshihet edhe Kosova. Dhe më lejoni të jem i qartë: e ardhmja juaj është në BE.

Është me rëndësi kyçe që Kosova të vazhdojëtë zbatojë reformat e nevojshme dhe të bëjë progres të prekshëm dhe të qëndrueshëm. Ky proces i reformave nuk ka të bëjë vetëm me anëtarësimin në BE; më e rëndësishmja është se ka të bëjë me zbatimin e reformave demokratike dhe ekonomike për një Kosovë më të mirë.

Çka nënkupton kjo në praktikë? Nënkupton se institucionet publike duhet të vazhdojnë të zbatojnë reforma që përmirësojnë jetën e të gjithë qytetarëve në Kosovë: ankthin dhe pasigurinë për të ardhmen ta kthejnë në emocion dhe shpresë. Që të ndodhë kjo, Kosova duhet të arrijë më shumë; e ka potencialin ta bëjë këtë. Ja pse e besoj këtë.

  • Qeveria është në pozitë të përshtatshme për të marrë vendime strategjike dhe për t’i përshpejtuar reformat: është viti i fundit për arritje para zgjedhjeve.
  • Në Kuvend partitë politike dëshmuan se bashkëpunimi për të mirën e Kosovës është i mundshëm: u miratua Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, marrëveshjet e Procesit të Berlinit për lirinë e lëvizjes dhe ligjet që kanë ndikim në jetën e përditshme: për sigurinë e produkteve, investime të qëndrueshme, edukimin në fëmijërinë e hershme ose sigurinë kibernetike. Secili deputet duhet të fokusohet në atë që është më e mira për Kosovën dhe ta sjellë atë frymë në vitin 2024. 
  • Raporti i fundit për Kosovën, duke vlerësuar sa e përgatitur është Kosova për t’iu bashkuar BE-së, njeh hapat e ndërmarrë në reformat që kanë të bëjnë me BE-në. Megjithatë, e bën të qartë edhe se nuk ka rrugë të shkurtër: Kosova duhet të zbatojë më shumë reforma.
  • Kosova miratoi Programin Kombëtar për Integrim në BE. Ky mund të tingëllojë si një dokument burokratik; në fakt, është një listë e veprimeve, vendimeve dhe hapave legjislativë që qeveria planifikon të kryejë. Sa më shumë t’i zbatojë Kosova, aq më shumë i afrohet BE-së.
  • Dhjetorin e shkuar, Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE. Është një motivim i jashtëzakonshëm për të vazhduar me reforma konkrete për ta bërë aplikimin më të fortë.
  • Kosova e ka demonstruar qartë përafrimin e saj me BE-në kur bëhet fjalë për politikën e jashtme dhe zgjedhjet e vlerave. Vendi vazhdon të miratojë paketa të masave kufizuese kundër Rusisë.
  • Kosova ka miratuar një Strategji të re ambicioze të Energjisë, ka lansuar ankandin e parë solar dhe ka investuar më tej për efiçiencë të energjisë të ndërtesave publike dhe banesore. Në këtë mënyrë, Kosova ka ndërmarrë hapa drejt realizimit të potencialit të saj për t’u bërë qendër e energjisë së gjelbër.
  • Qeveria është fokusuar me të tek sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Vitin e shkuar, Kuvendi miratoi legjislacion të rëndësishëm kundër korrupsionit. Pasi të zbatohet, mund ta përmirësojë luftën kundër korrupsionit. Ministrja e Drejtësisë dhe udhëheqësit e institucioneve të sistemit të drejtësisë kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët Zotimi dhe plan veprimi për reformën në drejtësi. Reformat janë me rëndësi kyçe për të rivendosur besimin e publikut në sistemin e drejtësisë.

Ajo që është e rëndësishme të theksohet këtu është se rruga evropiane e Kosovës dhe e Serbisë kalon përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja dhe normalizimit të marrëdhënieve mes tyre. Shtetet anëtare të BE-së presin që Kosova dhe Serbia ta zbatojnë Marrëveshjen për rrugën e normalizimit dhe aneksin e zbatimit të saj, pa vonesa apo parakushte. Kjo përfshin themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Dhe teksa Marrëveshja për Rrugën e Normalizimit ishte qartësisht një zhvillim pozitiv në vitin 2023, viti që lamë pas u shënua edhe nga kriza të sigurisë, veçanërisht në veri të Kosovës. Në maj ishim dëshmitarë të akteve të dhunshme kundër qytetarëve, trupave të KFOR-it, forcave të rendit dhe mediave, ndërsa në shtator ishim dëshmitarë të sulmit të dhunshëm kundër Policisë së Kosovës nga persona të armatosur rëndë. Pasojat e këtij sulmi vazhdojnë të ndihen jo vetëm në veri të Kosovës, por edhe në mbarë Kosovën dhe në mbarë rajonin. BE pret që autorët të kapen dhe të sillen shpejt para drejtësisë, si dhe që Serbia të bashkëpunojë plotësisht dhe të ndërmarrë të gjitha hapat e nevojshëm në këtë drejtim. Stabilizimi i situatës së sigurisë në terren tani duhet të jetë prioritet. Kjo nuk duhet të ndodhë më kurrë.

Në të vërtetë, Kosova gjithashtu përballet me sfida: por, sa më mirë të jetë e përgatitur Kosova për anëtarësim në BE, aq më mirë do të jetë e përgatitur për t’i adresuar dhe parandaluar ato sfida. Kjo është arsyeja pse Kosova duhet të përshpejtohet në rrugën e saj drejt BE-së. E ka potencialin, talentin dhe përkushtimin. Me këto, Kosova ka shansin që t’i afrohet BE-së më shpejt seç mund të mendohet.

I takon Kosovës ta shfrytëzojë mundësinënë mënyrë që të zhvillohet, të rritet dhe të përpiqet. Që të ndodhë kjo, duhet të vendosen politikat ekonomike, garancitë e sundimit të ligjit dhe standardet e nevojshme për tërheqjen e investimeve, për të mbështetur rritjen ekonomike dhe integrimin rajonal. Procesi është i gjatë dhe kompleks, por shpërblimi ia vlen: më shumë begati, siguri, paqe dhe stabilitet.

Në këtë frymë, ju uroj juve dhe të dashurve tuaj një vit të ri të shëndetshëm, të lumtur dhe plot shpresë. Shpresoj se do të keni mundësinë ta shfrytëzoni liberalizimin e vizave këtë vit dhe vitet në vijim. BE-ja është e gatshme t’i ndihmojë Kosovës që t’i afrohet BE-së dhe t’i përdorë mundësitë që ofron procesi i zgjerimit të BE-së: perspektiva e anëtarësimit është më shumë se ndihmë; është një qëllim në vetvete. Megjithatë, në fund të fundit, është zgjedhja dhe përgjegjësia e Kosovës. E kemi parë se Kosova mund të arrijë edhe më shumë. Dhe këtë ju uroj për vitin 2024.