Mbi Luftën e Tretë Botërore - Gazeta Express
string(27) "mbi-luften-e-trete-boterore"

Mbi Luftën e Tretë Botërore

Gazeta Express

06/01/2020 14:17

Në dhjetë vitet e fundit Hollywood-i ka prodhuar më shumë filma me temë apokaliptike, se në të gjitha periudhat tjera të historisë së tij. Edhe në ndarjen e çmimeve Golden Globes 2020 për filmin, në Kaliforni, çmimin kryesor e mori filmi “1917”,  film i cili trajton Luftën e Parë Botërore. Legjendari Martin Scorsese me filmin e tij  The Irishman, doli me gishta në gojë nga ndarja e çmimeve. Jetojmë në një kohë kur epika e gangsterëve nuk mund të garojë me epikën e luftërave të fundit të botës.

Shkruan: Blerim Latifi

Lexo Edhe:

Vrasja e para tre ditëve e Shefit të Gardës Revolucionare të Iranit nga amerikanët në Irak, nxiti gjithandej botës paralajmërimet se jemi në prag të shpërthimit të Luftës së Tretë Botërore.

Tanimë pothuajse është bërë rregull: Sa herë që diku në botë shpërthen ndonjë konflikt ushtarak, tri kategori parashikuesish paralajmërojnë Luftën e Tretë Botërore. Të parët janë pacifistët dogmatikë, të cilët pas çdo plumbi të shkrepur diku në botë, shohin katastrofën e madhe që po vjen.  Të dytët janë predikuesit fetarë, të cilët, njësoj siç kanë bërë paraardhësit e tyre tash e 2000 vjet, në çdo luftë shohin shenjat paralajmëruese të Armagedonit, Betejës së Fundit të Botës. Të tretët janë falltorët  e shkollës së Nostradamusit, që kërkojnë mes metaforave të tij të errta paralajmërimet për kohën tonë.

Sot interneti u ka dhënë një fuqi të madhe promovuese këtyre profetëve të katastrofës. Rrjedhimisht, ndikimi i tyre në mbjelljen e frikës globale është i madh. Edhe vetë industria e Hollywood-it ka rënë nën këtë ndikim. Në dhjetë vitet e fundit Hollywood-i ka prodhuar më shumë filma me temë apokaliptike, se në të gjitha periudhat tjera të historisë së tij. Edhe në ndarjen e çmimeve Golden Globes 2020 për filmin, në Kaliforni, çmimin kryesor e mori filmi “1917”,  film i cili trajton Luftën e Parë Botërore. Martin Scorsese me filmin e tij  The Irishman, doli me gishta në gojë nga ndarja e çmimeve. Jetojmë në një kohë kur epika e gangsterëve nuk mund të garojë me epikën e luftërave të fundit të botës. Siç duket, kritiku amerikan i artit Frederic Jameson, ka të drejtë kur thotë se në kohën tonë njerëzit më shumë besojnë në fundin e botës, se në fundin e kapitalizmit. Një lajm i keq ky për komunistët e marksistët, i dhënë nga një marksist i njohur.

Po filozofët, a kanë çfarë të thonë në këtë mes?

Dy shekuj më parë Hegeli i kishte këshilluar ata se nuk është punë e tyre të parashohin fatin e botës. Filozofia nuk është as profeci, e as hedhje falli. Marksi e kishte shpërfillur këtë këshillë duke dhënë parashikimin e tij të madh : kapitalizmi do të zëvendësohet nga komunizmi dhe gjithë njerëzimi do të jetojë i lumtur mbi faqe të dheut! Shpërfillja e Hegelit, do t’i kthehet bumernag Marksit në vitin 1989, shumë afër vendit ku Hegeli kishte ligjëruar këshillën e tij. Rënia e Murit të Berlinit ishte fundi i besimit në ardhjen e lumturisë komuniste të njerëzimit. Dështimi i parashikimit të Marksit erdhi, së pari, për shkak se përkundër bindjes së tij, historia njerëzore nuk u nënshtrohet ligjeve të hekurta, të cilat do të na mundësonin parashikimin e saj ; dhe së dyti, për faktin se vetë komunistët që morrën pushtetin gjithandej botës, në emër të marshimit drejt parajsës komuniste, e kthyen botën në një ferr të vërtetë, shumë herë më të frikshëm se ferri fiktiv të cilin Dante Aligieri na e paraqet në veprën e tij poetike “Komedia Hyjnore”.

Sot këshilla e Hegelit është rregull në mendimin filozofik. Krejt çfarë mund të bëjmë, është të kuptojmë të tashmen tonë, pasi të kemi kuptuar logjikën e të djeshmes. Pamja mbi të ardhmen mbetet e paqartë, sepse ne jemi të mbyllur brenda të tashmes, ndërsa ata që marrin vendimet për  njerëzimin rëndom nuk konsultohen me mësimet e historisë. I vetmi mësim nga historia, është se ne nuk mësojmë prej saj, thotë Hegeli. Prandaj e përsërisim atë, me të gjitha gabimet dhe katastrofat e saj. Kjo na mundëson të themi diçka tepër të përgjithshme për të ardhmen: njerëzit, me gjasë, edhe në shekujt në vazhdim do të vazhdojnë t’i bijnë në qafë njëri tjetrit. Se a do të ketë kjo rënie në qafë një finale të madhe dhe kur do të ndodh ajo, këtë askush nuk mund ta thotë! Kush përpiqet ta thotë, përfundon në zanatin e falltorit. Ka diçka interesante në “Leviatanin” e Hobsit, vepra më e madhe filozofike mbi politikën e shkruar në botën anglo-saksone. Kur i lëmë njerëzit në gjëndjen e tyre natyrore, ata përfundojnë në një luftë të të gjithëve kundër të gjithëve, thotë Hobsi. Kur kjo luftë rrezikon të shfarosë gjithë njerëzimin, atëherë instinkti i jetës, ose thënë më mirë instinkti i mbijetesës, i nxitë njerëzit të heqin dorë nga kjo luftë dhe të merren vesh për paqen. Paqja globale arrihet kur në horizont shfaqet shfarosja reciproke globale. Që nga dita kur fuqitë e madhe të botës u bënë pronare të armëve bërthamore, kjo shfarosje qëndron mbi horizontin e njerëzimit. Prandaj nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore. Me kushtin që këto armë të mos bijnë në duart e terroristëve që ëndërrojnë të jetojnë ditët e fundit të botës. Upss! E bëra një parashikim!  Të më falni, por Hobsi i ka fajet. Edhe dëshira, të cilën thellë në vete e kanë shumica absolute e njerëzve, dëshira për një të ardhme paqësore mbi tokë. Pa Luftë të Tretë Botërore dhe me një apokalips që përfundon në kufijtë e fiksionit hollywood-ian.