Jean-Philippe Mateta pritet t’i nënshtrohet testeve mjekësore të dielën përpara një transferimi të përhershëm nga Crystal Palace te Milani, sipas përditësimeve më të fundit.
Sipas James Horncastle dhe David Ornstein të “The Athletic”, reprezentuesi i Francës është gati t’i bashkohet kuqezinjve në një marrëveshje me vlerë mbi 30 milionë euro dhe pritet t’i kryejë testet mjekësore para përfundimit të fundjavës.
Milani ka shpresuar ta sigurojë marrëveshjen për Matetan në javën e fundit të afatit kalimtar të janarit, por është dashur të presë që Crystal Palace fillimisht të gjente një zëvendësues të përshtatshëm.
Klubi nga Londra e Jugut tashmë ka finalizuar marrëveshjen për sulmuesin e Wolverhampton Wanderers, Jørgen Strand Larsen, i cili pritet t’i bashkohet skuadrës së Oliver Glasner në një transferim me vlerë pothuajse 50 milionë euro, pa përfshirë bonuset.
Kjo i hap rrugën Matetas për t’u transferuar te Milani, pavarësisht interesimit më herët gjatë këtij muaji nga klube si Juventusi dhe Nottingham Forest.
Mateta ka shënuar tetë gola në 23 paraqitje në Premierligë këtë sezon dhe ka një bilanc total prej 46 golash në 153 ndeshje në elitën e futbollit anglez.
Ai gjithashtu ka realizuar dy gola në tri paraqitje me kombëtaren e Francës në vitin 2025./GazetaExpress/