Martinez: Mosha nuk ka rëndësi për Ronaldon dhe Modriqin - Gazeta Express
string(55) "martinez-mosha-nuk-ka-rendesi-per-ronaldon-dhe-modriqin"

Futboll

Gazeta Express

02/07/2026 9:39

Martinez: Mosha nuk ka rëndësi për Ronaldon dhe Modriqin

Futboll

Gazeta Express

02/07/2026 9:39

Përzgjedhësi i Portugalisë, Roberto Martinez, ka lavdëruar Cristiano Ronaldon dhe Luka Modriqin, duke i cilësuar si ikona botërore që kanë tejkaluar çdo kritikë dhe kanë dëshmuar se mosha nuk është pengesë për të luajtur në nivelin më të lartë.

Në prag të përballjes mes Portugalisë dhe Kroacisë në fazën e 1/16 së finales së Kupës së Botës, tekniku spanjoll tha se dy kapitenët legjendarë janë shembuj të jashtëzakonshëm për brezat e rinj të futbollistëve.

“Po flasim për lojtarë që janë mbi opinionin publik. Ata janë ikona botërore. Jetëgjatësia e karrierës së tyre i bën të veçantë. Luka Modriq, edhe pse ka kaluar të 40-at, vazhdon të luajë në nivel të lartë. E njëjta gjë vlen edhe për kapitenin tonë, Cristiano Ronaldon”, deklaroi Martinez.

Ai theksoi se debati për moshën e tyre nuk ka rëndësi, pasi ndikimi që kanë në skuadër është shumë më i madh sesa vitet që mbajnë mbi supe.

“Mosha është vetëm një numër. Ajo që ka rëndësi është ajo që bëjnë në fushë dhe shembulli që japin në dhomat e zhveshjes. Modriqi është frymëzim për miliona sportistë dhe futbollistë të rinj”, shtoi ai.

Ronaldo dhe Modriq ndajnë një histori të lavdishme te Real Madridi, ku luajtën së bashku nga viti 2012 deri në vitin 2018, duke fituar një titull në La Liga dhe katër trofe të UEFA Champions League, mes shumë sukseseve të tjera.

Martinez foli edhe për sfidën ndaj Kroacisë, duke pranuar se temperaturat e larta në Toronto nuk do t’i japin avantazh asnjërës skuadër.

“Nuk ka avantazhe në Kupën e Botës. Ne jemi përgatitur në Palm Beach në kushte me lagështi të lartë. Këtu do të kemi më shumë vapë, por më pak lagështi. Skuadra është e përgatitur për çdo sfidë”, u shpreh ai.

Trajneri portugez pret një duel të fortë taktik, duke theksuar se kontrolli i topit do të jetë elementi vendimtar.

“Të dyja skuadrat duan ta mbajnë topin dhe ta kontrollojnë ritmin e lojës. Çelësi do të jetë ta drejtojmë ndeshjen aty ku ne dëshirojmë. E njohim mirë Kroacinë dhe ata na njohin po aq mirë ne, prandaj nuk do të ketë sekrete”, përfundoi Martinez. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement