Robert Lewandowski ka nisur një kapitull të ri në karrierën e tij, pasi u transferua te Chicago Fire si lojtar i lirë pas largimit nga Barcelona.
Megjithatë, ky ndryshim i madh nuk është pritur me entuziazëm vetëm nga familja e sulmuesit polak, pasi bashkëshortja e tij, Anna Lewandowska, ka pranuar se ndihet e frikësuar për jetën e re në Shtetet e Bashkuara.
Chicago Fire konfirmoi zyrtarisht transferimin e 36-vjeçarit, i cili ka firmosur kontratë deri në fund të sezonit 2027/28. Klubi amerikan e cilësoi ardhjen e tij si “një moment historik për sportin në Çikago”.

Lewandowski largohet nga Barcelona pas katër sezonesh, gjatë të cilëve zhvilloi 193 ndeshje dhe shënoi 120 gola. Me klubin katalanas ai fitoi tre tituj të La Ligës, një Kupë të Mbretit dhe tre Superkupa të Spanjës.
Në një postim emocional në Instagram, Anna Lewandowska tregoi se largimi nga Barcelona nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Kam menduar gjatë se çfarë të shkruaj. Mund të publikoja një fotografi me buzëqeshje dhe të thosha se gjithçka është perfekte, por nuk është kështu. Përpara nesh është një ndryshim i madh: shpërngulja në Çikago. Edhe pse duhet të ndiej emocion dhe gëzim, e vërteta është se jam jashtëzakonisht e frikësuar”, shkroi ajo.
Ajo shtoi se Barcelona ishte bërë shtëpia e saj dhe se mendimi për të lënë gjithçka pas dhe për të nisur një jetë të re e rëndon emocionalisht.
“Jeta me një sportist nuk përbëhet vetëm nga momentet e bukura. Ajo kërkon edhe shumë sakrifica familjare. Unë do ta mbështes Robertin me gjithë forcën time, sepse jemi një ekip, por si grua kam të drejtë të kem frikë dhe të ndihem e mbingarkuar.”
Anna shprehu shqetësimin edhe për dy vajzat e tyre, të cilat do të duhet të përshtaten me një vend, shkollë dhe kulturë krejtësisht të re.
“Si nënë ndihem shumë e stresuar. Mendoj për vajzat, për emocionet e tyre, për shkollën e re dhe mënyrën se si do të përshtaten. Kushdo që ka kaluar një shpërngulje të tillë me fëmijë e di sa e vështirë është emocionalisht”, përfundoi ajo.
Ndërkohë, Lewandowski nis aventurën e tij në MLS, ku Chicago Fire shpreson se përvoja dhe instinkti i tij si golashënues do ta ndihmojnë skuadrën të luftojë për objektivat e sezonit. /GazetaExpress/