Raportime nga media të ndryshme sugjerojnë se trajneri italian Enzo Maresca është kandidat për të zëvendësuar Pep Guardiolën si trajner i Manchester Cityt, në rast se spanjolli vendos të largohet nga “Etihad” në fund të sezonit.
Guardiola ka edhe një vit kontratë me Cityn, që skadon në verën e vitit 2027, por po shtohen raportimet se ai mund të largohet në fund të sezonit 2025/26.
Gjatë kohës së tij në Manchester, ai ka fituar 19 trofe, përfshirë gjashtë tituj të Premierligës dhe Ligën e Kampionëve në sezonin 2022-23.
Sipas raportimeve nga Italia, ekziston ende mundësia që Guardiola të marrë drejtimin e kombëtares së Italisë, duke zëvendësuar Gennaro Gattuso.
Nëse Guardiola largohet, Maresca shihet si një nga kandidatët kryesorë për ta zëvendësuar.
Kjo është raportuar nga “The Guardian” dhe media të tjera britanike.
Maresca ishte pjesë e stafit të Guardiolës gjatë sezonit historik 2022-23, kur Manchester City fitoi tripletën, por më pas u largua për të marrë drejtimin e Leicester Cityt në Championship.
Ai arriti ta ngjisë ekipin në elitë duke fituar titullin që në sezonin e parë, përpara se të merrte drejtimin e Chelseat.
Maresca u largua nga Chelsea në janar dhe që atëherë është pa ekip.
Sipas “talkSPORT”, ai ende ka detyrime kontraktuale me klubin londinez, dhe megjithëse largimi i tij është konsideruar “i ndërlikuar”, Chelsea nuk mund ta pengojë nëse ai dëshiron të marrë një post të ri.
Megjithatë, nëse ai do të marrë drejtimin e Manchester Cityt, pritet që të ketë një marrëveshje mes tij dhe Chelseat për zgjidhjen e çështjeve kontraktuale.
Klubi londinez mund të kërkojë kompensim, por nëse kjo ndodh, pagesa do të bëhet mes Chelseat dhe vetë Marescës, dhe jo drejtpërdrejt mes Chelseat dhe Manchester Cityt./GazetaExpress/