“Shkupi 2028” si “Shkupi 2014”! Kush i kontrollon fondet e kryeqytetit evropian? - Gazeta Express
string(74) "shkupi-2028-si-shkupi-2014-kush-i-kontrollon-fondet-e-kryeqytetit-evropian"

Maqedoni

Gazeta Express

29/07/2026 15:50

“Shkupi 2028” si “Shkupi 2014”! Kush i kontrollon fondet e kryeqytetit evropian?

Maqedoni

Gazeta Express

29/07/2026 15:50

Krijimi i një fondacioni të posaçëm, financimi shumëvjeçar dhe vendosja e rregullave të veçanta për realizimin e projekteve kulturore janë pjesë e Propozim-ligjit për zbatimin e Projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”. Një grup deputetësh ka dorëzuar të premten e kaluar në Parlament Propozim-ligjin për zbatimin e këtij projekti evropian, me procedurë të shkurtuar, me të cilin synohet krijimi i një baze të veçantë ligjore për organizimin dhe realizimin e aktiviteteve që lidhen me titullin që Shkupi do ta mbajë në vitin 2028, shkruan gazeta KOHA.

Mes nënshkrimeve të 24 deputetëve kryesisht të VMRO-DPMNE renditen edhe kreu i Parlamentit Afrim Gashi dhe Zeqirja Tairi dhe një deputet i Grom. Por pa arritur në ende në Komisionin e Kulturës, dorëzimi i tij me procedurë të shkurtuar, pa një proces të gjerë konsultimi publik, ka ngritur shumë pikëpyetje. Projektligji nuk është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve (ENER), duke kufizuar mundësinë që qytetarët, ekspertët dhe organizatat e interesuara të japin sugjerime dhe vërejtje.

Në arsyetimin e propozimit thuhet se projekti paraqet një mundësi të rëndësishme për promovimin e kulturës, zhvillimin turistik dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar. Motoja e projektit “Kultura mbi ndarjet” synon të pasqyrojë rolin e Shkupit si qytet i takimeve, solidaritetit dhe diversitetit kulturor. Me propozim-ligjin parashihet themelimi i Fondacionit “Kryeqyteti Evropian i Kulturës – Shkup 2028”, i cili do të jetë përgjegjës për realizimin e programit. Fondacioni do të ketë autonomi në organizimin dhe programimin e aktiviteteve, por do të funksionojë me mekanizma të transparencës, raportimit dhe kontrollit.

KORNIZË LIGJORE PËR REALIZIM PROFESIONAL

Financimi i projektit parashihet të sigurohet përmes buxhetit të shtetit të Qytetit të Shkupit, buxheteve të komunave, fondeve evropiane dhe ndërkombëtare, si dhe përmes donacioneve dhe sponsorizimeve. Ligji parashikon gjithashtu krijimin e zonave kulturore, përdorimin e hapësirave publike dhe private për aktivitete kulturore, mbështetjen e artistëve, skenës së pavarur kulturore dhe industrive kreative, si dhe ruajtjen e trashëgimisë së krijuar nga projekti edhe pas vitit 2028. Propozuesit vlerësojnë se një kornizë e veçantë ligjore është e nevojshme për të siguruar realizim profesional, efikas dhe afatgjatë të këtij projekti evropian.

Sipas tyre, zbatimi i ligjit do të mundësojë krijimin e përmbajtjeve dhe hapësirave të reja kulturore, nxitjen e krijimtarisë së pavarur dhe zhvillimin e industrive kreative. Propozuesit theksojnë se përfitimet nga ky projekt nuk duhet të kufizohen vetëm në vitin 2028, por të krijojnë një trashëgimi të qëndrueshme kulturore dhe zhvillimore për të ardhmen. Përmes projektit “Shkupi – Kryeqyteti Evropian i Kulturës 2028”, synohet që qyteti të lidhet më fuqishëm me rrjedhat kulturore evropiane dhe ndërkombëtare, duke krijuar vlera kulturore afatgjata me rëndësi për vendin.

“SHKUPI 2028” SI “SHKUPI 2014”?

Platforma e organizatave qytetare për luftë kundër korrupsionit i kanë bërë thirrje Parlamentit, që menjëherë të ndalojë miratimin e Projektligjit, duke paralajmëruar se zgjidhjet e propozuara paraqesin rreziqe serioze për transparencën, përgjegjshmërinë dhe mbrojtjen nga korrupsioni. Sipas tyre, përjashtimi i Fondacionit nga detyrimi për zbatimin e Ligjit për Prokurime Publike do të krijonte pabarazi të institucioneve para ligjit. Veçanërisht shqetësues, sipas Platformës, është fakti që projektligji i propozuar nuk parasheh vetëm përjashtime të kufizuara për shërbime specifike autoriale ose artistike, por e përjashton tërësisht Fondacionin nga sistemi i përgjithshëm i prokurimeve publike. Kjo, siç paralajmërojnë ata, do të zbatohej edhe për blerjen e mallrave, shërbimeve dhe pajisjeve standarde, por edhe për punët infrastrukturore dhe ndërtimore ku ekziston konkurrencë në treg.

“Përjashtimi i një subjekti nga Ligji për Prokurime Publike përmes një ligji të veçantë krijon rreziqe të larta për korrupsion, të cilat mund të përsëriten për çdo projekt të ardhshëm të shpallur si prioritar”, theksojnë nga Platforma. Projektligji është dorëzuar me procedurë të shkurtuar, nuk është publikuar në Regjistrin e Vetëm Kombëtar Elektronik të Rregulloreve – ENER, dhe nuk është kryer as vlerësim antikorrupsion i rregullores. Sipas tyre, mungesa e debatit publik paraqet një rrezik shtesë, veçanërisht pasi bëhet fjalë për një zgjidhje ligjore që parasheh përjashtim nga mekanizmat ekzistues të kontrollit.(koha.mk)

Advertisement
Advertisement
Advertisement