Asociacioni në fuqi pas “njohjes reciproke”, a është ky formulimi që do ta “shpëtojë” Kurtin? - Gazeta Express
string(87) "asociacioni-ne-fuqi-pas-njohjes-reciproke-a-eshte-ky-formulimi-qe-do-ta-shpetoje-kurtin"

Asociacioni në fuqi pas “njohjes reciproke”, a është ky formulimi që do ta “shpëtojë” Kurtin?

Ballina

Gazeta Express

03/02/2023 14:10

Kryeministri Albin Kurti duket se e ka gjetur formulimin e duhur për ta kaluar Asociacionin me arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi mbi bazën e planit franko-gjerman. Sipas kreut të LDK’së, Lumir Abdixhiku, Kurti si “njohje reciproke” do ta konsiderojë marrëveshjen Kosovë -Serbi mbi bazën e planit franko-gjerman dhe veçmas nenin 2 të tij ku thuhet se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve”. Qeveria e Kosovës tashmë disa herë e ka përsëritur se plani franko-gjerman është më i favorshëm për Serbinë dhe se nuk e përmban njohjen.

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një lëvizje dje duke formuluar 6 kushte për themelimin e Asociacionit, një mekanizëm që po e përplas me Perëndimin e veçmas me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat e kanë marrë përsipër ta çojnë përpara implementimin.

Lexo Edhe:

Pesë ditë pasi Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës organizoi një takim për Asociacionin ku nuk ishte i ftuar, Kurti ka dalë me 6 kushtet. Ato  i shpalosi në Kuvendin e Kosovës ku u përfshi në debate të ashpra me partitë opozitare.

Në kushtin e pestë thuhet se “Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke”.

Qeveria e Kosovës, më saktësisht, Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, disa herë e ka proklamuar se plani franko-gjerman është më i favorshëm për Serbinë, pasi nuk e ka njohjen e Kosovës nga Serbia.

Pritet që Kosova e Serbia, nëse e arrijnë marrëveshjen, raportet e tyre t’i definojnë sikur dy Gjermanitë gjatë Luftës së Ftohtë, pa e njohur njëra -tjetrën de jure.

Formulimi i pikës së pestë të Kurtit se Asociacioni do të zbatohet pas “njohjes reciproke” lë të kuptohet se Asociacioni mund të zbatohet vetëm dikur pas 10 vjetësh kur dy vendet ta njohin njëra-tjetrën juridikisht.

Por, sipas Lidhjes Demokratike të Kosovës Kurti ka bërë një truk me këtë pikë. Ata thonë se Kurti dje e ka pranuar Asociacionin dhe se zbatimi i tij do të bëhet pasi Kosova e Serbia ta arrijnë marrëveshjen mbi planin franko–gjerman, të cilin Kurti do ta interpretojë si njohje reciproke mes dy vendeve.

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, gjatë një interviste në Pressing të T7 mbrëmë ka thënë se pikërisht me pikën e pestë Kurti ia ka çelur dyert Asociacionit, që e ka kundërshtuar kaq gjatë.

Kushtin e pestë Kurti e ka mbështetur në nenin 2 të planit franko-gjerman që në bazë të versioneve të planit që janë publikuar thotë se “të dyja palët do të udhëhiqen nga qëllimi dhe parimet e përcaktuara në Kartën e Kombeve të Bashkuara, veçanërisht ato për të drejtat sovrane të shteteve, respektimin e pavarësisë, autonomisë dhe integritetit territorial të tyre, të drejtën për vetëvendosje dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe mosdiskriminimin”.

Pikërisht këtë nen, Abdixhiku thotë se Kurti do ta interpretojë si njohje formale dhe me të do të hyjë në fuqi edhe Asociacioni.

Formulimi i Kurtit i kushtit të pestë është ky dhe përfshin edhe “njohjen reciproke”

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës”.

Megjithatë, mbetet të shihet nëse ky interpretim i LDK’së dhe partive opozitare është i saktë. Sipas të gjitha gjasave, kjo do të kuptohet shumë shpejt pasi Perëndimi është duke insistuar që gjithçka të zhvillohet me një dinamikë të madhe.

Kurti dje ka thënë se “Asociacioni i Komunave i dalë në parim nga marrëveshja e Brukselit Thaçi-Daçiq apo marrëveshja e parë e parimeve siç njihet ndryshe, si një mekanizëm i tillë, mund të konsiderohet nga Republika e Kosovës” me kushtet në vijim:

1. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi në Republikën e Kosovës.

2. Asociacioni nuk mund të jetë monoetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë/bartë asnjë pushtet publik apo ekzekutiv dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Kushtetutës dhe ligjit për vetëqeverisje lokale (kreu 5).

3. Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimin e reciprocitetit  ndërmjet dy shteteve respektive si dhe të marrin parasysh standardet dhe modelet evropiane.

4. Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale të Serbisë në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

5. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke. Dhe vetëm pasi Serbia t’i ketë pranuar parimet e Kartës së Organizatës së Kombeve të Bashkuara në raportet e saj ndërshtetërore me Republikën e Kosovës.

6. Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet anëtare të BE-së, dhe tek të tjerat, për mospranimin e aplikimit të Republikës së Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian që paraqet edhe shkelje të po asaj marrëveshjeje Thaçi-Daçiq të 19 prillit 2013.

Për Asociacionin ka komentuar dje edhe Gabriel Escobar, i cili duket i vendosur që ky mekanizëm të implementohet me çdo kusht. Ai ka thënë se Kurti s’ka bërë marrëveshje për Asociacionin, por Kosova.

“Sido që shkoni përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, do të keni një Asociacion. Prandaj them gjithmonë se do të zbatohet në një moment. E pranon ose jo qeveria aktuale në Kosovë obligimin ligjor, nuk është marrëveshje mes Kurtit dhe Serbisë. Është një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo është arsyeja pse unë vazhdoj të them se do të ndodhë. Do të jetë baza e marrëveshjes së normalizimit. Nuk mund të mos bëhet kjo”, tha qartë Escobar për Pavlovic Today, transmeton Gazeta Express.