Manchester City është i vendosur të shkojë pas Vinícius Júnior. Skuadra angleze po përfiton nga kaosi që po përjeton Real Madrid dhe dëshiron të transferojë yllin brazilian 25-vjeçar, të cilit i ka mbetur vetëm edhe një vit kontratë këtë verë, sipas raportimeve të TeamTalk.
Kjo shihet si mundësia e fundit për Florentino Pérez për të përfituar financiarisht nga lojtari, i cili thuhet se ka kërkuar pagë të ngjashme me atë të Mbappé për të vazhduar në Santiago Bernabéu, përcjell Gazeta Express.
Real Madrid dhe Vinícius Jr kanë qenë në negociata për rinovimin e kontratës që nga vera e kaluar, por situata e paqëndrueshme në klub ka bërë që sezoni i tij të jetë shumë i luhatshëm. Ai e nisi keq sezonin, duke u kritikuar nga trajneri i ri Xabi Alonso për moszbatimin e udhëzimeve taktike. Më pas, forma e tij u përmirësua pas ardhjes së Arbeloas në stol dhe madje u rikthye harmonia mes lojtarit dhe klubit pas fitores ndaj Manchester City.
Megjithatë, fundi i sezonit ka qenë shumë i vështirë për Real Madridin, me probleme të brendshme dhe një atmosferë të tensionuar në skuadër, gjë që ka ndikuar edhe në negociatat e Vinícius, ku aspekti financiar mund të mos jetë më faktori kryesor.
Braziliani kishte kërkuar pagë të barabartë me Mbappé, një kërkesë që Florentino Pérez nuk e kishte pranuar më herët. Por tani, me situatën e rënduar në dhomën e zhveshjes dhe konfliktet e brendshme, Manchester City po shihet si një opsion gjithnjë e më tërheqës për të.
Me Paris Saint-Germain që është tërhequr nga gara pas stabilitetit të arritur nën Luis Enrique, Manchester City mbetet një nga destinacionet më serioze për sulmuesin brazilian. Gjithashtu përmenden edhe Arsenal dhe Chelsea si klube që e kërkojnë, ndërsa trajneri Pep Guardiola e sheh Vinícius si një mundësi të rrallë në treg, pavarësisht se në krahun e majtë tashmë ka lojtarë si Doku dhe Semenyo.