Erëra të forta në Vlorë, rrëzohen disa pemë - Gazeta Express
string(42) "erera-te-forta-ne-vlore-rrezohen-disa-peme"

Lajme

Gazeta Express

08/05/2026 13:05

Erëra të forta në Vlorë, rrëzohen disa pemë

Lajme

Gazeta Express

08/05/2026 13:05

Era e fortë që ka përfshirë qytetin e Vlorës ka sjellë edhe pasojat e para. Për shkak të fuqisë dhe shpejtësisë së saj, që ka arritur deri në 20 m/s, janë rrëzuar dy pemë në zonën e Transballkanikes, si edhe në brendësi të lagjes “Lungomare”.

Në vendngjarje kanë ndërhyrë forcat zjarrfikëse, të cilat kanë bërë të mundur hapjen e rrugëve, pasi pemët e rrëzuara kishin bllokuar një pjesë të rrugës.

Ndërkohë, kushtet e motit dhe era e fortë kanë sjellë edhe pezullimin e lundrimit detar deri në ditën e nesërme.

Ndërkaq, edhe autoritetet detare kanë njoftuar për përkeqësim të kushteve hidrometeorologjike në Gjirin e Vlorës dhe në det të hapur gjatë ditës së sotme, 8 maj 2026.

Sipas parashikimeve, duke nisur nga ora 08:00 priten erëra të forta nga drejtimi jug-juglindje me forcë deri në 6-7 ballë dhe shpejtësi 15-20 m/s, ndërsa lartësia e dallgëve do të arrijë nga 1.5 deri në 2.5 metra.

Për shkak të kushteve të rënduara atmosferike, është ndaluar pajisja me leje nisjeje për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit që operojnë jashtë Gjirit të Vlorës, duke filluar nga ora 08:00 deri në orën 22:00 të datës 8 maj.

Autoritetet u kanë bërë thirrje të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë aktivitet në fushën e detarisë të marrin masa për sigurimin e mjeteve lundruese në porte dhe të rrisin gatishmërinë e ekuipazheve për të shmangur çdo situatë emergjente.

Ndërkohë, anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë operimin normalisht sipas destinacioneve të planifikuara.

Sipas njoftimit, përmirësimi i kushteve hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe ato të peshkimit pritet pas orës 22:00 të mbrëmjes së sotme. /Telegrafi

Advertisement
Advertisement
Advertisement