Maliqi: Marrëveshja në favor të Kosovës, Hoti partner i Washingtonit dhe Brukselit - Gazeta Express
string(80) "maliqi-marreveshja-ne-favor-te-kosoves-hoti-partner-i-washingtonit-dhe-brukselit"

Maliqi: Marrëveshja në favor të Kosovës, Hoti partner i Washingtonit dhe Brukselit

Gazeta Express

08/09/2020 17:27

Analisti Shkëlzen Maliqi në një intervistë për Gazetën Express ka thënë se  çdo hap që lehtëson arritjen e marrëveshjes finale, çon në favor të Kosovës. Duke komentuar përplasjet në skenën politike rreth ujdisë në Washington Maliqi vlerëson se dy kryeministrat që dolën nga “Qeveria e Shpresës”, do të vlerësohen ndryshe nga ndërkombëtarët: Kurti do të jetë me një minus për frikën e paarsyeshme dhe edhe më tej pa përkrahje të SHBA-së, kurse Hoti do të ketë plusin si partner i Washingtonit

Kosova dhe Serbia nënshkruan një dokument me të cilin zotohen për normalizim të raporteve ekonomike. Prapë u tha se tash marrëveshja tjetër është për njohje reciproke. Është ndërtuar një bazë e mirë për një finale me Serbinë apo ende është joreale të pritet njohja e Kosovës prej palës serbe?

Lexo Edhe:

Shkëlzen Maliqi: Kam përshtypjen se çështja e njohjes së Kosovës nga Serbia po keqkuptohet. Sidomos kur po thuhet “njohja reciproke”. Serbia nuk vuan aspak për njohjen e Kosovës, tashmë është republikë me njohje ndërkombëtare, anëtare e OKB. Edhe Kosovës s’do t’i duhej njohja e Serbisë nëse do të ishte në OKB. Disa thonë se me verdiktin e GJND-së shpallja e pavarësisë është legjitimuar. Po, vetëm se vendimet e kësaj Gjykate janë rekomanduese, jo edhe obliguese. Prandaj Serbisë, edhe pse ka presione, nuk i ngutet. Sjellja e saj është si e pronares të tapive të vjetra, që e di se nuk e ka më në zotim Kosovën, por mund t’i thotë Grenellit “hiqe nga marrëveshja njohjen e ndërsjellë”. Dhe u hoq, ia gjuajtën çështjen BE-së, që Brukseli të kujdeset për finalen politike. Por, a mundet BE-ja me ambivalencën dhe neutralitetin që e ka ndaj statusit të Kosovës? Borelit dhe Lajçakut Vuçiqi sërish i thotë JO njohjes, për deri sa BE-ja nuk flet me një zë. Para se t’i kërkojë Serbisë njohjen e Kosovës, BE-ja duhet t’i bind pesë anëtaret e veta që nuk e njohin Kosovën…

Megjithatë… paralajmërimet e VV’së për thika mbi hartat e Kosovës dolën të pasakta dhe erdhi njohja nga Izraeli. Kuptohet, diçka fituan edhe serbët në marrëveshjen finale, duke bllokuar Kosovën për një vit në rrugën e anëtarësimit, duke e diskutuar Ujmanin, dhe duke e futur pikën e Shengenit ballkanik, ide kjo e Edi Ramës. Realisht, kush fitoi më shumë në këtë takim?

Maliqi: Nëse realizohen, përfitimet do të janë kryesisht ekonomike, gjithsesi të dyanshme që deri diku mund të maten me dollarë të fituar, që tentativisht janë proporcionale. Por, sa i përket përfitimeve politike, çdo hap përpara në normalizimin e raporteve që lehtëson arritjen e marrëveshjes finale, çon në favor të Kosovës. Është e vërtetë se aktualisht e kemi pranuar moratoriumin për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare, por me gjasa edhe për faktin se edhe ashtu te brenda s’ka gjasa reale për ndonjë anëtarësim, ku prej kohësh kemi ngecje nga pamundësia objektive për anëtarësim, p.sh. për shkak të rregullave të votimit, ku Kosova duhet t’i sigurojë 2/3 e votës, kurse kundërshtarëve i mjafton 1/3.

Ndërkaq, mendoj se Shengeni ballkanik është nismë e rëndësishme që hap një rrugë alternative për njohje. Nuk është ide origjinale e Edi Ramës, ai ishte vetëm promotori më i zëshëm ndër shqiptarët,  pohonte se projekt që rrjedh nga Procesi i Berlinit. Është interesant se në Kosovë kundërshtohej si projekt serbomadh, kurse në Serbi thoshin se çon në krijimin e Shqipërisë së Madhe! E vërteta është se ky  Shengen ballkanik “bashkon” të dy kombet që jetojnë të shpërndarë jo brenda një shteti, por brenda një strukture ekonomiko-politike me kufij të hapur dhe tregun e përbashkët, sipas modelit të BE-së. Përparësia e kësaj nisme është se krijimi i Schengenit ballkanik presupozon se Kosova duhet të jetë shtet i barabartë, përndryshe nuk bëhet fare.

Avdullah Hoti duket se shënoi suksesin e parë, të madh, në karrierën e tij politike. A i garanton kjo marrëveshja vazhdim të mandatit qeverisës dhe largim të çdo dileme se kush do të jetë Shefi i ri i LDK’së?

Maliqi: Raportet në skenën tonë politike janë delikate, e pamë se edhe në Washington për pak se nuk ndodhi prishja e koalicionit. Por, me rëndësi ishte që u pa qartë: në Shtëpinë e Bardhe nuk kishte thikat mbi harta. Përkundër kritikave të Kurtit se marrëveshja është e dëmshme, shihet se marrëdhëniet me SHBA janë riparuar dhe kjo do të ndikoj që të dy kryeministrat që dolën nga Qeveria e Shpresës, të vlerësohen ndryshe: Kurti do të jetë me një minus për frikën e paarsyeshme dhe edhe më tej pa përkrahje të SHBA-ve, kurse Hoti do të ketë plusin si partner i Ëashintonit dhe Brukselit. Kuptohet, duhet të shihet ndikimi dhe proceset reale si dhe epilogu i zgjedhjeve në Amerikë. Por, tendencat që tani të luhet në ndasitë mes Trumpit dhe Bajdenit nuk do të funkcionojnë, qëndimi i SHBA-ve ndaj Kosovës është bipartizane,.

Sa janë gjasat që edhe kjo marrëveshje të ndikojë në uljen e tensioneve në skenën e brendshme politike sidomos kur të vijë dita e votimit të Presidentit të ri qoftë nëse Thaçit i përfundon mandati i rregullt apo jep dorëheqje për shkak të aktakuzës së Speciales?

Maliqi: Në Kosovë që nga viti 2014 kemi pas kriza dhe tensione të ndryshme, madje një kohë edhe aksione dhe protesta të dhunshme të LVV dhe militantëve të disa partive të tjera, por që nuk sollën përmbysje të rendit dhe sigurisë. As procesi i filluar i hetimeve dhe intervistimeve të Gjykatës Speciale, sado traumatik, nuk ka efekte çfarë paramendoheshin. Njerëzit janë të zhgënjyer, por jo në masën kritike që do të shkaktonte ndasitë edhe më të mëdha. Mendoj se po dështon edhe ajo ndarja skematike në të cilën insistonte LVV, për kundërshtimin e politikën e vjetër si një kastë absolutisht të korruptuar dhe të dështuar, nga politika e re shpresëdhënëse.

Mendoj se as zgjedhja e presidentit të ri, kurdo që ndodh, nuk do të jetë me probleme, pos ato të zakonshmet. Do të ketë një kandidat nga legjislatura aktuale, ose do të shkohet në zgjedhje. E në zgjedhje besoj se do të ketë rreshtime dhe befasi të reja. Trendi i përgjithshëm te partitë është depërtimi i brezit të ri të politikanëve që sjellin edhe mendësi dhe qasje të reja, dhe këtij trendi mbase duhet t’i përshtaten të gjithë, përfshirë edhe LVV që në zgjedhjet që do të vijnë vetën e sheh si favorite absolute për fitore./GazetaExpress/