Kandidatja për deputete nga radhët e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu sonte në “Edicionin Special” në Klan Kosova është shprehur se sjellja jo e maturuar e kryeministrit Albin Kurti dhe Ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvallës, sipas saj, kanë bërë që Kosova të kritikohet edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan.
Ajo u shpreh se kjo gjë ka bërë që Kosova të marrë edhe vërejtje me shkrim nga autoritetet e NATO-s, përcjell Klankosova.
“Ajo që duhet të themi është rrezikshmëria që ka paraqitur kjo qeveri sa i perketë shtetit të Kosovës. Vet ekzistenca e shtetit tonë, vet relacionet tona ndërkombëtare dhe vet funkisonimi jonë edhe në arenën diplomatike ka përjetuar një rënie të hatashme dhe këtë po e mbështesë në faktin se sjellja jo e maturuar e kryeministrit, sjellja absolutisht e pamaturuar e Ministres së Punëve të Jashtme kanë bërë që Kosova të kritikohet edhe nga Departamenti i Shtetit Amerikan, kanë bërë që të marrin vërejtje me shkrim edhe nga autoritetet e NATO-s, kanë bërëH që të fyhen politikanët amerikanë të cilët kanë qenë suportuesit më të mëdhenj të shtetit të Kosovës”, u shpreh ajo.