Lufta kundër Luftës - Gazeta Express
string(19) "lufta-kunder-luftes"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

15/06/2022 11:27

Lufta kundër Luftës

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

15/06/2022 11:27

Keni parë në shumë pallate mbretërore që portat hyrëse janë shumë të larta. A e dini pse? Sepse çdo njeri që hyn aty, pa marr parasysh sa pushtet gëzon, sa fuqi ekzekutive ka, kur t’i afrohet asaj dere, t’i duket vetja i vogël. Çdo tentim për t’u krahasuar me prijësit e UÇK-së, veç do të duken qesharakë.

Nga: Sedat Sahitaj

Luftërat nuk janë asnjëherë të mira, sepse luftërat çdoherë sjellin vdekje, dhunë dhe shkatërrime. Qysh në antikitet, më mirë si askush tjetër i ka përshkruar pasojat e luftërave, vet themeluesi i historisë, Herodoti: “Në paqe djemtë varrosin baballarët, në luftë, baballarët varrosin djemtë.” Por, ama, luftërat çlirimtare janë të shenjta, po aq sa vet liria. Prandaj lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e shenjtë nga cilido kënd që shikohet.  

     Ushtria Çlirimtare e Kosovës nuk është rezultat i një brezi, por është kulmimi i përpjekjeve të disa brezave, ajo ka ardhur natyrshëm nga thellësia më e thellë e historisë sonë kombëtare. Pa dashur të lëshohem në analiza historike, që nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit mund të themi se ka ekzistuar ideja për një organizim të formatit të UÇK-së.

 Prandaj Ushtria Çlirimtare e Kosovës është një vlerë e jona kombëtare.

  Çka është befasuese?!

        Në asnjë luftë, pa marrë parasysh karakterin e luftës, nuk përfshihet e gjithë popullsia në luftë, kjo është krejt normale. Ama, nuk është normale të ketë urrejtje ndaj një ushtrie çlirimtare.  Në historinë e përbotshme kanë ekzistuar me qindra luftëra. Nga këto luftëra ka të tilla që janë me karakter pushtues, çlirimtare, ka prej tyre që kanë qenë tejet të ashpra dhe me karakter gjenocidial, ka raste të luftërave që kanë zgjatur 100 vjet, ka që kanë zgjatur disa orë, etj. Por nuk mund të gjesh asnjë rast askund në botë që të kritikohet një luftë çlirimtare më shumë se Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës,  është fjala për nga brenda. Një gjë e tillë është në kundërshtim edhe me ligjet e natyrës. Sepse asnjë krijesë nuk e han pjellën e saj, e UÇK-ja është pjellë e vetë popullit. Ka plot luftëra që dihen mirëfilli se kanë qenë të padrejta, p.sh ne, po sjellim veç disa që kanë ndodhur  pas Luftës së Dytë Botërore 1939-1945, si Lufta e ShBA-së në Vietnami, Lufta e Rusisë në Afganistan, e Francës në Algjeri etj., por nuk mund të gjeni në këto shtete asnjë luftë të organizuar kundër luftës së vendit të tyre, siç ka ndodhur te ne tash më shumë se dy dekada. A keni parë se çfarë respekti gëzojnë në Amerikë veteranët e luftës së Vietnamit. Apo ju duket shumë larg si krahasim, në rregull, të ndalim të shteti fqinj, Serbia. Në Serbi a ka urrejtje ndaj atyre që kanë bërë luftën në Kosovë? Jo aspak, a ka organizime nga shtresa të ndryshme shoqëror kundër luftës së shtetit serb që ka bërë në Kosovë?-Jo. Edhe pse e gjithë bota demokratike e ka konsideruar luftën e Serbisë kundër Kosovës si  krim kundër njerëzimit dhe Sllobodan Millosheviqin si kriminel lufte, ata me krenarinë më të madhe i mbrojnë dhe i nderojnë ata.

      Por nuk është e njëjta për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në Kosovën e pasluftës është luftuar në të gjitha format UÇK-ja dhe protagonistët e saj. Kemi me dhjetëra libra që janë shkruar kundër kësaj lufte ( që nuk janë shkruar as për së afërmi kaq libra për krimet serbe në Kosovë). Ka mediume të shkruara dhe vizuale që dy dekada janë marrë dhe vazhdojnë të bëjnë luftë kundër luftës së UÇK-së. Ka me dhjetëra emisione televizive që kanë pasur objektiv degradimin e luftës së UÇK-së. Po ashtu është zhvilluar një humor i zi ndaj luftës së UÇK-së, ndaj protagonistëve të saj, madje edhe ndaj dëshmorëve. Pra, me të gjitha format është përbuzur lufta e UÇK-së.

        Para së t’i paraqesim burimet e urrejtjes ndaj UÇK-së, duhet të theksohet që në krye të herës se nuk qëndron aspak ajo se që nga viti 2007 ka filluar urrejtja ndaj UÇK-së deri më tani. Sepse është fakt i pakontestueshëm se urrejtja për UÇK-në është shpërfaq që në qershorin e vitit 1999, me atë propagandën e pistë “UÇK, e ZANE”, si  në Prishtinë dhe në shumë qytete të mëdha. Apo ka ekzistuar që në kohën kur UÇK-ja ishte akoma në embrion. Nuk është edhe lehtë të shpjegohet se pse një urrejtje e tillë ndaj një ushtrie e cila ka sjellë lirinë e pa ekzistuar kurrë në këto troje. Nuk mund të shpjegohet lehtë lufta kundër një ushtrie çlirimtare prej më të suksesshmëve në Evropë. Kjo jo vetëm për faktin se ka arritur objektivin kryesor, çlirimin e vendit, por edhe për  faktin se arriti të krijoj aleanca më shtetet demokratike më të rëndësishme të globit, arriti bashkëpunim të ngushte me organizatën ushtarake më të fuqishme në botë, siç është NATO-ja. Aftësia diplomatike e një ushtrie të sapokrijuar siç ishte UÇK-ja, ka bërë që të admirohet nga shumë studiues. Pikërisht është kjo aleancë midis UÇK-së dhe NATO-së që ka bërë të mundur edhe çlirimin përfundimtar të Kosovës.

Pse kjo urrejtje ndaj UÇK-së?!

       Kjo ka shpjegim në disa aspekte. E para, qëndrimi i Kosovës si pjesë përbërëse e ish-Jugosllavisë për 50 vjet, 1945-1999. Edhe pse nuk thuhet hapur, por gjatë kësaj periudhe ka pasur një lloj akulturimi në disa zona dhe në disa shtresa shoqërore. Këto shtresa kanë qenë të privilegjuara në kohën e ish-Jugosllavisë, ( ka shume nga këta të fundit që kanë dënuar me dënime drakonike pjesëtaret e ilegales, kanë diferencuar, anatemuar dhe stigmatizuar familjet e tyre, që më vonë kanë qenë protagonistë të UÇK-së). E nga këtu ka filluar lufta kundër UÇK-së. Sepse këta kanë konsideruar si prishje të rehatisë së tyre.

       E dyta, nga ata që nuk kanë qenë pjesë e luftës, dhe që nisen nga prizmi se nëse nuk je pjesë e një procesi duhet të dalësh kundër në të gjitha format, këta të fundit mundohen edhe për të  plotësuar deficitin kombëtar.

       E treta, duke pasur parasysh faktin se një numër i madh i popullsisë nuk ka qenë drejtpërdrejt i përfshirë në luftë, politikan të ndryshëm e vërejtën se lufta kundër UÇK-së është një territor i pëlleshëm, që do të sjellë shumë më shpejt në pushtet secila do kauzë tjetër. Para disa dite patëm rastin kur ministrja e punëve të jashtme të  Kosovës uron ditën e çlirimit të Kosovës, pa e përmendur as edhe një herë të vetme UÇK-në. A mund të ndodhë një gjë e tillë në një shtet normal, të fyhet  një ushtri që ka sjellë lirinë, e nga kush nga mistria e jashtme ( për këtë do të flasim në një rast tjetër).

 Pastaj ka individ që punojnë në institucione shkencore dhe kulturore, që paguhen nga taksa e qytetarëve, që kanë shkruar dhe propaganduar kundër luftës së UÇK-së.

       Krejt kjo propagandë arriti deri në atë pikë sa që njerëzit të ndihen të turpëruar që kanë qenë pjesë e UÇK-së.

      Ka nga ata që ketë luftë kundër luftës së UÇK-së, e atribuojnë kundër protagonistëve të UÇK-së, jo kundër luftës. Por kjo nuk qëndron në asnjë aspekt. Lufta apo vet UÇK-ja është abstrakte në vetvete, njerëzit i japin  kuptim, sidomos udhëheqësit e saj.

   Një kënd tjetër që mund të shikohet burimi i urrejtjes të shumë individëve publikë ndaj protagonistëve të luftës së UÇK-së është edhe fakti se ndihen të vegjël ndaj kontributit dhe rolit historik të prijësve të UÇK-së. Kjo është më të vërtetë qesharake. Sepse nuk mund të krahasohet askush me ata që kanë qenë protagonistë të luftës, dhe të proceseve më të rëndësime të vendit. Ketë edhe nëse e marrim si rastësi, apo si prijës të fatit të tyre paralel me fatin e popullit të tyre. Duhet të kuptojnë një gjë të gjithë, për arsye të caktuara që mundohen të krahasohen me prijësit e UÇK-së. Anglia ka pasur shumë kryeministra, por ai që mbahet më së shumti në mend është Winston  Churchill, apo Franca ka pasur me dhjetëra presidentë, por që mbahen në mend nga të gjithë  është De Goli. Sepse këta i kanë udhëhequr luftën kundër nazizmit. Pra çdo tentim për t’u krahasuar me prijësit e UÇK-së është e kotë.

    Keni parë në shumë pallate mbretërore që portat hyrëse janë shumë të larta. A e dini pse? Sepse çdo njeri që hyn aty, pa marr parasysh sa pushtet gëzon, sa fuqi ekzekutive ka, kur t’i afrohet asaj dere, t’i duket vetja i vogël. Çdo tentim për t’u krahasuar me prijësit e UÇK-së ,veç do të duken qesharakë.

Rroftë historia ajo ju tregon vendin gjithë secilit!