Lionel Messi ka vlerësuar maksimalisht Anglinë e drejtuar nga Thomas Tuchel, duke e cilësuar si një “superfuqi” të futbollit, ndërsa përgatitet ta përballet për herë të parë në karrierën e tij.
39-vjeçari, i cili aktualisht ndan vendin e parë në listën e golashënuesve të Kupës së Botës së kësaj vere me tetë gola, ka arritur pothuajse çdo sukses të mundshëm që nga debutimi me Argjentinën në vitin 2005.
Përveç rolit vendimtar në ndërprerjen e pritjes 28-vjeçare të Argjentinës për një trofe, duke fituar Copa America, Messi udhëhoqi gjithashtu “La Albiceleste”-n drejt triumfit historik në Kupën e Botës 2022 në Katar.
Në total, ai ka realizuar 125 gola në 200 ndeshje me kombëtaren, por gjatë gjithë kësaj periudhe nuk është përballur asnjëherë me Anglinë.
Ndeshja e fundit mes dy kombëtareve u zhvillua në nëntor të vitit 2005, në një miqësore para Kupës së Botës 2006.
Në atë takim, Anglia e drejtuar nga Sven-Göran Eriksson përmbysi rezultatin falë dy golave të Michael Owen dhe një të Wayne Rooney, duke fituar 3-2 në Stade de Genève të Zvicrës.
Messi kishte debutuar tashmë me Argjentinën në atë periudhë, por pasi ishte përjashtuar me karton të kuq vetëm 30 sekonda pas debutimit të tij ndërkombëtar, ai mungoi në sfidën ndaj Anglisë për shkak të pezullimit.
Tani, dy dekada më vonë, fituesi tetë herë i Topit të Artë do ta ketë më në fund mundësinë të luajë kundër “Tre Luanëve”, kur Argjentina të përballet me ekipin e Tuchelit në gjysmëfinalen e Kupës së Botës të mërkurën në Atlanta.
Duke folur pas fitores 3-1 ndaj Zvicrës, që siguroi kualifikimin në gjysmëfinale, Messi nuk i kurseu elozhet për kundërshtarin.
“Gjithçka që kam parë dhe mbaj mend për Argjentinë–Angli nga viti 1986 vjen nga videot dhe pamjet që argjentinasit i shikojnë dhe i rikujtojnë vazhdimisht. Por mendoj se ky grup është mësuar të luajë ndeshje të mëdha, pavarësisht kundërshtarit. Natyrisht, të luash kundër Anglisë është diçka e veçantë, sepse ata janë një superfuqi dhe ndeshjet kundër superfuqive janë gjithmonë speciale. Personalisht, është hera e parë që do të luaj kundër tyre. Kam luajtur kundër pothuajse të gjithëve, përveç Anglisë, kështu që edhe për këtë arsye do të jetë diçka e bukur. Do ta përjetojmë për atë që është: një gjysmëfinale e Kupës së Botës kundër një superfuqie, një skuadre të madhe, dhe do të përpiqemi të jemi në formën më të mirë të mundshme për të konkurruar sërish”, tha ai.
Pak më vonë, Messi dërgoi edhe një mesazh përmes Instagramit, duke paralajmëruar se Argjentina nuk do të dorëzohet.
“Sërish vuajtëm, por kjo skuadër nuk ndalon kurrë së besuari. Jemi përsëri mes katër më të mirave në botë! Hajde, vazhdojmë!”, shkroi kapiteni argjentinas./GazetaExpress/