Ministri Liburn Aliu e bëri deklaratën skandaloze për “shtetin e përkohshëm” të Kosovës nga pozita e një anëtari të qeverisë. Qartazi është deklaratë për zhbërjen e rendit kushtetues. Në një shtet normal, ai do të duhej të ndiqej penalisht.
Imer Mushkolaj
Ai e bëri deklaratën skandaloze për “shtetin e përkohshëm” nga pozita e një anëtari të qeverisë. Qartazi është deklaratë për zhbërjen e rendit kushtetues, veprim ky që në një shtet normal do të duhej ndjekur penalisht.
Pra ministri, i cili është i votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës për t’iu shërbyer qytetarëve të kësaj republike, pa pikë turpi thotë se është pjesë e qeverisë së një shteti të përkohshëm.
Të tilla deklarata mund të tingëllojnë normale po që se bëhen nga armiq të shtetit të Kosovës. Ta zëmë, për Beogradin institucionet e Republikës së Kosovës janë “institucione të përkohshme”. Por, kur një gjë të tillë e thotë një ministër i Kosovës, i cili do të duhej të punonte konform kushtetutës së shtetit i cili e paguan, atëherë është skandal shkuar skandalit. Të mohosh shtetin tënd, për të cilin janë sakrifikuar gjenerata e gjenerata, është poshtërsi.
* * *
Deklarata e Aliut vjen në kohën kur Lëvizja Vetëvendosje as që e ka diku në agjendë kauzën që e kishte proklamuar zëshëm sa ishte në opozitë – bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ose, më saktë, siç pretendonin udhëheqësit e këtij subjekti politik, që “Kosova t’i bashkohet Shqipërisë”. Pas tre vjetësh në pushtet, Albin Kurti nuk e propagandon më këtë ide, ndërkohë që ka gjetur një varg pengesash kushtetuese e ligjore se pse një gjë e tillë qenka e pamundur.
Këto pengesa Kurti i dinte edhe atëherë kur mashtronte votues të tij potencialë se do të ndodhte bashkimi. Por atëherë nuk i përmendte, sepse këtë kauzë e shfrytëzonte për përfitime elektorale. Tash kur është në pushtet dhe e sheh më me racionalizëm qeverisjen, Kurti hesht. Megjithatë vartës të tij, si Aliu, nuk përtojnë të bëjnë deklarime skandaloze.
Para dy javësh, në kolumnen time për Express, kam kritikuar ministrin Aliu për mospunë e dembeli. Një ministër, i cili që kur e ka marrë postin nuk ka bërë gjë të hajrit për qytetarët, të cilët tash i fyen duke ua quajtur “të përkohshëm” shtetin në të cilin ata jetojnë.
Po të punonte Aliu me kaq entuziazëm sa jep deklarata skandaloze, punët në mjedis, infrastrukturë dhe planifikim hapësinor do të ishin shumë më mirë. Por, ministri dështak i Albin Kurtit më lehtë e ka të flasë gjëra koti, të fyejë shtetin për të cilin do të duhej punuar dhe të cilit do të duhej shërbyer me besnikëri, sesa ta përmirësojë realitetin e zymtë në terren, në fushat të cilat ai do të duhej t’i menaxhonte.
Liburn Aliu bën pjesë në një kabineti ministrash, shumica e të cilëve kanë performancë të dobët dhe janë absolutisht të papërgjegjshëm për punët, të cilat do të duhej kryer. Ai bën pjesë në një kabinet, anëtarët e të cilit kanë shumë fjalë, e pak ose aspak punë. Ai mbetet një dështak.