Letërsia shqipe: E përcaktuar nga provincializmi - Gazeta Express
string(47) "letersia-shqipe-e-percaktuar-nga-provincializmi"

Letërsia shqipe: E përcaktuar nga provincializmi

Ballina

Gazeta Express

27/02/2021 12:22

Në një intervistë mjaft interesante për Gazetën Mapo dhe gazetarin Mark Simoni, shkrimtari dhe përkthyesi i njohur Balil Gjini ndan me lexuesin mendime mjaft interesante për letërsinë në përgjithësi por edhe për figurat kryesore të letërsisë shqiptare. Një mendim ndryshe, jashtë klisheve me të cilat ne jemi mësuar të lexojmë. Mos e humbisni!

Lexo Edhe:

Ç’është për ju letërsia?
Letërsia është deti i madh i Harrimit që vezullon diku larg, shumë larg. Miliona qënie të vogla pinguinërore kanë dalë të brigjet e këtij deti dhe tundin në duar fletë të bardha të mbushura me poezi dhe me prozë dhe kërkojnë t’i shpëtojnë me çdo kusht nga përmbytja. Thërrasin, ulërijnë, por, ajme, se aty është vetëm një varkë e vogël dhe rremtari (në të dyja kuptimet: edhe ai që mban rremat dhe ai që gënjen), që është Koha vetë, qesh me cinizëm me orvatjet e tyre, sepse biletat për udhëtimin në të përjetshmen janë prerë prej kohësh nga ca njerëz që quhen Rabële, Cervantes, Shekspir, Kafka, Ruzhdie.

Ndonëse kjo gjë dihet, njerëzit shkruajnë e shkruajnë. Biblioteka të tëra me libra, miliona e miliona tituj. Po le të bëjmë pak matematikë: nëse një njeri lexon katër-pesë libra në muaj, i bie që në një vit të lexojë rreth pesëdhjetë tituj. Një njeri që ka lexuar gjashtëdhjetë vite, s’mund të ketë lexuar më shumë se tre mijë libra. Mund të merret me mend batërdia. Atëhere ç’lipsen këto male me libra, të larta po aq sa Himalajet?

Atëherë ç’të jetë kjo mani e njeriut për të shkruar, cilat janë cytjet dhe sustat për ta bërë një gjë të tillë?

Me ç’duket çdo akt krijimi është njëkohësisht edhe një akt rebelimi. Njeriu duke shkruar tregon se nuk është dakord me botën, të tillë siç e ka krijuar Zoti, plot të meta e papërsosmëri, a thua argjila me të cilën punonte ishte krejt e skaduar. Kësisoj ai krijon botën e tij dhe i gëzohet asaj.

Mbase njeriu nuk pajtohet me fatin e tij dhe do t’i lërë kohës së ardhme një mesazh të futur në shishe, por, siç thamë, koha është ai deti i madh që të gjitha shishet i flak në breg. Mbase njeriu zilepset nga zeja e kasapit: do t’i zbrazë rropullitë e fjalëve nga përmbajtja e vjetër dhe t’i mbushë me erëza, piperna e përmbajtje të re. Kafka thonte se të shkruash do të thotë të veçohesh nga rrethi i vrasësve.

Letërsia është zeje apo talent, origjinale, apo plagjiaturë?

Libri i parë i botës është shkruar nga Zoti dhe Moisiu në mal të Sinait. Por ne e dimë se Zoti, nga zemërimi, i theu pllakat ku ishin shkruar ligjet. (Kujtojmë se kështu donte të vepronte dhe Kafka: t’i shkatërronte librat, duke pretenduar se ato rrisnin keqkuptmin universal, siç thotë Blanchot). Të thyesh pllakat do të thotë ta grisësh librin. Testamenti i vjetër na thotë se libri u shkrua sërish, veçse tashmë duke imituar të parin. Pas këtij akti në botë s’mund të ketë më origjinalitet dhe çdo gjë është plagjiaturë dhe shëmti.

Gjithçka është thënë që në mitet e parë, thotë Kundera dhe gjithçka që erdhi më pas nuk bën gjë tjetër veçse thotë po ato gjëra në formë tjetër. Kësisoj letërsia është ndoshta fermentimi më i madh i historisë dhe ajo s’bën gjë tjetër përveçse distilon bërsitë. Kjo tezë është e ngjashme me tezat e tjera: që letërsia ngrihet mbi gërmadhat e veta, apo që libri lind nga libri. Shkrimtari ka brenda kokës një punishte fjalësh, brenda së cilës gjëmojnë daltat dhe çekiçët, ujdisen kazanë e gypa për t’u distiluar masa e tyre e squllët.

Nisur nga ky këndvështrim letërsia kujdeset për stilin e saj. Jo për mesazhet e mëndjes, por për masazhet e shpirtit, nuk ka qëllime, por qilime, që shkelen butë, që prehesh në ta.

Ju folët për librin. Cili është kuptimi juaj për të?

Thuhet se një libër duhet të hapë plagë, ose të jetë plagë. Si plaga, si libri qepen me penjë. Penjtë e plagës kalben më shpejt, të librit shumë më vonë. Por libri, fare mirë mund të jetë edhe një shishe parfumi, së cilës, sapo i hap kapakun, të përmbyt me aromë. Ti s’di ta shpjegosh ç’është kjo aromë, dhe, tevona, është e mjaftueshme që ajo të të kënaqë.

Po letërsia shqipe? Cilat janë prurjet dhe risitë e saj në letërsinë europiane?

Çdo fenomen letrar dhe artistik analizohet brenda rrjedhës së vet. Letërsia shqipe, për fat të keq, ka qenë përcaktuar nga historizmi dhe provincializmi. Edhe një stilist i mirë si Konica s’ka mundur t’i shpëtojë dot kësaj. Analizat e tij shumë herë gëlojnë nga mllefet aristokratike kundër Ismail Qemalit, që kishte bërë rrush e kumbulla pesëqind mijë frangat e dhëna nga Franca, kundër Shahin Kolonjës etj. Fati i Konicës ka qenë i njëjtë me atë të Emil Cioranit dhe një studim krahasues mes të dyve do të ishte një gjë shumë interesante. Por çfarë ndryshimi kolosal kanë nga njëri-tjetri. Tek Cioran s’e gjen asnjëherë kuturisjen nëpër qorrsokakët patriotikë, nëpër rrugicat pa dritë të provincës. Jo. Çdo gjë tek ai është universale.

Kjo vonesë në proceset e brendshme të letërsisë evropiane karakterizon edhe Fishtën e Poradecin. Lahuta e Fishtës është një vepër e vonuar, një imitim i panevojshëm i Iliadës, ajo s’ka bërë gjë tjetër veçse ka shtuar skarcitetin letrar, qelizat kancerogjene të letërsisë. Po kështu edhe Poradeci. Ndonëse shkroi në kulmin e surrealizmit, poezitë e tij janë folklorike, plot tralala e trololo.

A s’ju duket se po qëlloni në dritaret e zotave dhe a s’keni ndonjë model të kësaj periudhe?

Në dhomat e atyre dritareve ku mendonim se ishin zotat, jetojnë qenie të zakonshme. Unë hedh gurë për t’i zgjuar nga gjumi. Kur vjen fjala për letërsinë shëmbullin na i ka dhënë Michel Foucault: individualitetet formohen përmes kundërshtive, urrejtjes, teksa përmes dashurisë krijohen personalitete të njëjtë, uniformë.

Letërsia shqipe është mbyllur brenda hapësirës që lejonin malet e saj: me zënkat e vogla, mëritë, thashethemet, frymën patriotike, e veçanërisht me historizmin. Historizmi është mali i lartë nën hijet e të cilit rriten barëra helmuese, por, mbi të gjitha, ai vret tek shkrimtari shpirtin e letërsisë që është trillimi.

Por ka modele që i kanë shpëtuar atij. I pari është De Rada. Po jap vetëm një shëmbëll prej tij nga Milosao: Të vetëm janë burri me gruan/trupa që përleshen në baltë/kurrë nuk shohin një ditë të mirë/bëjnë mëkat edhe nëse duhen… janë vargje që duket sikur t’i ketë shkruar Markezi de Sad.

Modeli i dytë është Mjeda: Andrra e jetës, ndonëse përshkruan jetën provinciale të një katundi, me oxhakët që nxjerrin tym, me rrugët e mbushura me kakërdhi e blegërima bagëtish, është e përshkuar tejendanë nga fryma universale. Mjafton vetëm një varg: “Cice, del se erdh Murgjina”, që zinxhiri i imagjinatës sonë t’i vihet në lëvizje dhe të prodhojë me dhjetra imazhe të tjera.

Këtu s’mund të mos përmend prozat e Kutelit: Vjeshta e Xheladin beut dhe E madhe është gjëma e mëkatit, që mund të renditen në majat e prozës botërore. Do të ishte mjaft interesante të bëhej një studim krahasues midis prozës së dytë dhe tregimit të Franc Kafkës “Gjahtari Grakhus”.

Gjatë periudhës së realizmit socialist është folur shpesh për grupimet letrare të Tropojës, Lezhës, Tepelenës, etj. Ç’mendoni për risitë letrare të tyre?

Letërsia, krahas të tjerave, është edhe fat. Dëm i madh që këta autorë, ndonëse një pjesë të talentuar, jetuan në një kohë kur kishte pllakosur murtaja. Sa për rrymë letrare, apo shkollë poetike, kjo është krej e ekzagjeruar. Imagjinoni: në vendet e tjera rrymat e shkollat letrare janë krijuar nëpër metropole (Parisi ka qenë mitra letrare e tyre), kurse, tek ne, për çudi, krijoheshin nëpër provinca e humbëtira. Gjithnjë kam menduar se në vendin tonë s’mund të krijoheshin premisat për lëvizje letrare dhe ideja e grupimeve letrare ka qenë një marifet i partisë, pjesë e revolucionit të saj kulturor, e barazitizmit, e idesë se populli është më i mençur dhe më kreativ se intelektualët e tij në kryeqytet. Po të merren e të krahasohen poezitë e tyre sot, shikohet qartazi skarciteti dhe firot letrare.

Poezitë e N. Gj., atij që quhej dhe ikona e këtyre grupimeve, (s’po e shkruaj emrin të plotë thjesht për etikë), pra poezitë e tij janë ilustrim i qashtër i parimit të tabanit popullor në poezinë e realizmit socialist: plot portrete punëtorësh, bujqish, këpucarësh, etj. Edhe krijimet e poetëve të tjerë dallohen nga lineariteti, narrativa, hera-herës edhe nga alegoria politike (e cila nuk përfshihet fare tek mjetet artistike). Të vazhdosh akoma t’i frysh zjarrit të këtij miti, do të thotë thjesht të shqyesh bulçinjtë, sepse urët e zjarrit janë të lagura nga shiu.

A mendoni se pas rënies së diktaturës, premisat për risi e fenomene letrare ishin më të mira?

Sigurisht që po. Duhet thënë se në shkretëtirën e kripës së Detit të Vdekur s’mbin asnjë bimë, asnjë lule. Si mund të rritej letërsia, kjo bimë delikate, në shkretëtirën e realizmit socialist?

Poetët që erdhën pas viteve nëntëdhjetë ishin zogj që dolën nga kafazet dhe po shikonin se tej errësirës kishte drita e ylberë vezullues që të lëbyrnin sytë. Një pjesë e tyre vetvetiu do të binin plandosur në tokë prej këtij shkëlqimi. Po një pjesë e tyre rezistuan. Mes tyre sot kemi dy autorë shumë të mirë: Agron Tufën dhe Ilir Belliun. Poezia e tyre është ashtu si lypset: ambige, plot mbishtresa e nënshtresa kuptimore, që vezullon nga metaforat, së cilës duhet t’i kthehesh e rikthehesh, pa e shterur etjen artistike. Por kjo kohë na zbuloi veprën e Martin Camajt, stemë e denjë e gjuhës sonë shqipe.

Mendoj se kritikat dhe argumentat tuaja ndaj Fishtës dhe Konicës, ndaj Lasgushit dhe Ndoc Gjetjes janë të pamjaftueshme për të mbërritur në ato konkluzione që ju keni për to. Unë jam lexues i të katërve dhe mendoj ndryshe nga ju. Ashtu si mjekët, që kanë shenjtërinë e Betimit të Hipokratit, edhe unë si shkrimtar dhe gazetar kam shenjtërinë e fjalës së lirë. Pavarësisht diferencave në pikpamje që kemi ne të dy, intervistën me ju do ta botoj të plotë dhe pa asnjë censurim.


Faleminderit për hapësirën dhe mundësinë

Shënim: Në versionin e Gazetës Mapo intervista u publikua me titullin “Distilimi i bërsive”.