Leipzigu i jep ultimatum Yan Diomandes rreth largimit të tij - Gazeta Express
string(60) "leipzigu-i-jep-ultimatum-yan-diomandes-rreth-largimit-te-tij"

Futboll

Gazeta Express

20/06/2026 22:20

Leipzigu i jep ultimatum Yan Diomandes rreth largimit të tij

Futboll

Gazeta Express

20/06/2026 22:20

RB Leipzigu ka nisur një përpjekje të re për të mbajtur në skuadër Yan Diomanden, mes interesimit të vazhdueshëm nga Liverpooli.

Afati kalimtar në Premierligë është hapur vetëm prej pesë ditësh, por Liverpooli tashmë ka qenë aktiv në treg, duke siguruar përforcimet e para të epokës së re nën drejtimin e Andoni Iraolas.

Në një lëvizje që erdhi papritur, “The Reds” arritën marrëveshje për sulmuesin e Osasunas, Víctor Muñozin, të mërkurën në mbrëmje, duke ia rrëmbyer transferimin Newcastle Unitedit.

Liverpooli pagoi 40 milionë euro (34.5 milionë paund) për të aktivizuar klauzolën e lirimit të 22-vjeçarit, i cili ka bërë përshtypje me aftësinë për të luajtur në të dy krahët e sulmit, por edhe në qendër kur kërkohet.

Më pak se 24 orë më vonë u zbulua se Liverpooli kishte paraqitur një ofertë fillestare me vlerë deri në 100 milionë euro (86 milionë paund) për yllin e Leipzigut, Diomanden.

Diomande, i cili aktualisht ndodhet me kombëtaren e Bregut të Fildishtë në Kupën e Botës, prej kohësh konsiderohet objektivi kryesor i Liverpoolit dhe duket se klubi nga Merseyside është i gatshëm të bëjë gjithçka për ta transferuar.

Megjithatë, oferta u refuzua shpejt, pasi Leipzigu raportohet se kërkon rreth 130 milionë euro (112.6 milionë paund) për kartonin e tij.

Tani është zbuluar se Leipzigu është i gatshëm t’i ofrojë 19-vjeçarit një kontratë të re shumë më të mirë, por vetëm nëse ai pranon të qëndrojë në klub të paktën deri në verën e vitit 2027.

Duke konfirmuar detajet e ofertës, eksperti i transferimeve Fabrizio Romano deklaroi “Qëllimi i Leipzigut mbetet të përpiqet ta mbajë lojtarin. Leipzigu dëshiron shumë ta mbajë, duke i ofruar kontratë të re, pagë më të lartë dhe një klauzolë lirimi që do t’i lejonte të largohej ku të dëshironte në verën e vitit 2027. Kjo është ajo që Leipzig po i ofron Diomandes”.

“Nga ana tjetër, lojtari është shumë i tunduar nga mundësia për t’u larguar tani, pas Kupës së Botës. Të gjejë një klub të ri dhe të transferohet menjëherë. Aktualisht është një situatë 50 me 50. Liverpoolit iu refuzua oferta, por pritet të rikthehet me një tjetër. Ata e duan vërtet Diomanden dhe e konsiderojnë atë një objektiv kryesor”, shtoi ai.

Romano shton se pritet që edhe disa klube të tjera të mëdha të shfaqin interes për anësorin, veçanërisht nëse ai vazhdon paraqitjet mbresëlënëse në Kupën e Botës.

Megjithatë, Diomande nuk është i vetmi sulmues krahu që po monitorohet nga Liverpooli, pasi Iraola synon të rindërtojë repartin ofensiv pas largimit të legjendës së klubit, Mohamed Salahut.

Ndër emrat më të mëdhenj në listën e objektivave është ylli i Paris Saint-Germain, Bradley Barcola, për të cilin Romano u kujtoi tifozëve të Liverpoolit se mbetet një opsion serioz.

Përveç Barcolas, alternativat e tjera besohet se përfshijnë Said El Mala të Kölnit, Yankuba Minteh të Brighton & Hove Albionit dhe Matias Fernandez-Pardo të Lillet, në rast se dështojnë transferimet e Diomandes ose Barcolas.

Në repartin defensiv, Liverpooli është lidhur edhe me një lëvizje për mbrojtësin e Borussia Dortmund, Nico Schlotterbecun, pasi klubi kërkon zëvendësues për Ibrahima Konatén, i cili është transferuar te Real Madridi.

Megjithatë, Liverpooli mund të hasë vështirësi edhe në këtë pistë, pasi raportimet e fundit sugjerojnë se Schlotterbecku po mendon gjithashtu një kalim te Real Madridi pas përfundimit të Kupës së Botës./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement