LDK lëviz për zëvendësministrat, këta janë zyrtarët që pritet të emërohen shpejt - Gazeta Express
string(79) "ldk-leviz-per-zevendesministrat-keta-jane-zyrtaret-qe-pritet-te-emerohen-shpejt"

LDK lëviz për zëvendësministrat, këta janë zyrtarët që pritet të emërohen shpejt

Arbër Jashari

19/02/2020 12:18

VV ka emëruar pesë zëvendësministra në 15 ministritë e Qeverisë, ndërkaq Lidhja Demokratike e Kosovës nuk ka emëruar zyrtarisht asnjë zëvendësministër nga radhët e tyre. Gazeta Express ka kontaktuar disa nga emrat e përfolur për këto detyra nga partia e Isa Mustafës. Ish-Kryetari i Prishtinës, Ismet Beqiri, i ka thënë Gazetës Express se është propozuar si zëvendësministër i Kulturës, por ende s’ështe emëruar. Xhavit Rexhaj, i cili ishte kandidat i LDK-së për deputet, ka thënë se sot gjatë ditës pritet të zyrtarizohet emri i tij si zëvendësministër i Arsimit.

Qeveria Kurti do të ketë gjithsej 35 zëvendësministra të cilët do të sistemohen në 15 ministritë përkatëse të kabinetit qeveritar.

Lexo Edhe:

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri është propozuar nga Kryesia e LDK-së që të marrë detyrën e zëvendësministrit në ministrinë që drejtohet nga Vlora Dumoshi.

Beqiri i ka thënë Gazetës Express të mërkurën se është propozuar për zëvendëministër.

“Është e vërtetë që më ka propozuar Kryesia e LDK-së, por ende se kam marrë detyrën”, tha ai.

Ndërkaq, Xhavit Rexhaj i pyetur nga Express se a do të jetë zëvendësministër në ministrinë që udhëhiqet nga Hykmete Bajrami, ka thënë se jozyrtarisht e ka këtë informacion

“Kështu më kanë informuar jozyrtarisht. Besoj gjatë ditës ose nesër zyrtarizohet”, ka thënë Rexhaj.

Ndërkaq, ish-anëtari i LDK-së në KQZ, Florian Dushi është përfolur si zëvendësministër i Albulena Haxhiut.

Dushi ka konfirmuar për Express se është propozuar nga Kryesia e LDK-së për këtë post.

“Kryesia e LDK-së më ka propozuar për pozitën e zëvendësministrit në Ministrinë e Drejtësisë. Të tjerat janë procudura formale. Besoj qe sot ose nesër zyrtarizohet”, ka thënë anëtari i LDK-së.

Dushi në profilin e tij në Facebook ka marrë urime të shumta për postin.

Deri më tani Albin Kurti ka emëruar në detyrën e zëvendësministrit, Jusuf Thaçin në Ministrinë e Arsimit, Avni Zogianin në Ministrinë e Transportit.

Taulant Kryeziu, me vendim të Kurtit është emëruar zëvendës-ministër në Ministrinë e Intergrimit Evropian, kurse Imri Demelezi në ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ndërkaq, Xhelal Sveçla është emëruar zëvendësministër në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike./GazetaExpress/