Lakers zhgënjen ndaj Boston, Curry udhëheq Warriors drejt Play Off-it - Gazeta Express
string(68) "lakers-zhgenjen-ndaj-boston-curry-udheheq-warriors-drejt-play-off-it"

Basketboll

Gazeta Express

16/04/2021 11:23

Lakers zhgënjen ndaj Boston, Curry udhëheq Warriors drejt Play Off-it

Basketboll

Gazeta Express

16/04/2021 11:23

Phoenix Suns vijon të bëjë mirë, pasi ka mposhtur Sacramento Kings me rezultatin 122-114 dhe ka regjistruar fitoren e katërt radhazi, duke konsoliduar pozitat në vendin e dytë të Konferencës së Perëndimit.

Skuadra e drejtuar nga 49-vjeçari Monty Williams e nisi mjaft mirë ndeshjen dhe arriti të fitojë fraksionin e parë me 5 pikë diferencë, por lëshoi disi në pjesën e dytë dhe të tretë, duke u dhënë mundësi miqve që të ngushtojnë diferencën.

Lexo Edhe:

Pjesa e fundit e lojës ishte edhe më interesantja, pasi Sacramento ia doli të marrë epërsinë prej dy pikësh në një moment, por më pas ishte Phoenix që dominoi dhe ia doli të triumfojë, falë edhe një forme mjaft të mirë të 23-vjeçarit nga Bahamasi, Deandre Ayton, i cili shënoi 26 pikë dhe rikuperoi 11 topa në tabelë.

Mungesa e yjeve si Anthony Davies dhe LeBron James peshon shumë te Los Angeles Lakers, që vijojnë të ofrojnë paraqitje me oshilacione dhe të mos arrijnë të bëjnë më shumë se dy fitore radhazi.

Këtë herë kalifornianët janë dorëzuar në “Staples Center” përballë një kundërshtari shumë të fortë si Boston Celtics, që ia doli të triumfojë me shifrat 113-121 dhe të regjistrojë suksesin e 6 radhazi, duke u konsoliduar në zonën Play Off të Konferencës së Lindjes.

Miqtë nga Bostoni dominuan në gjysmën e parë të lojës, duke vendosur një epërsi të konsiderueshme për ndeshje të tilla, ndërsa Lakers provuan të reagojnë në gjysmën e dytë, por pa arritur të shmangin humbjen.

Basketbollisti 24-vjeçar Jaylen Brown ishte protagonist absolut i ndeshjes në “Staples Center”, pasi ia doli të shënojë 40 pikë, të rikuperojë 9 topa dhe të japë 3 asiste, ndërsa për Lakers bënë mirë Horton-Tucker dhe Gasol.

Vijon të bëjë mirë edhe Golden State Warriors, që ia doli të triumfojë me rezultatin 101-119 në transfertën ndaj Cleveland Cavaliers, duke u afruar edhe më shumë me zonën Play Off të renditjes në Konferencën e Perëndimit.

Sfida nisi mirë për Cavs, por Warriors bënë një fraksion të dytë në kufijtë e perfektes, duke vendosur një epërsi të konsiderueshme pikësh dhe duke mos u dhënë mundësi vendasve që të reagojnë. Stephen Curry ishte protagonist absolut i mbrëmjes, pasi ia doli të shënojë 33 pikë, të rikuperojë 4 topa dhe të japë 5 asiste, duke fituar edhe duelin në distancë me Collin Sexton.

Regjistron fitoren e tretë radhazi edhe Milwaukee Bucks, që triumfoi me shifrat 109-120 në transfertën e “State Farm Arena” ndaj Atlanta Hawks. Të udhëhequr nga Holiday e Lopez, Bucks ia dolën të vulosin suksesin që në gjysmën e parë të ndeshjes, ndërsa më pas administruan mirë avantazhin, duke marrë një fitore mjaft të rëndësishme. /SS/