Kuvendi i Maqedonisë së Veriut miratoi sot shkarkimin e një pjese të anëtarëve të Qeverisë, në kuadër të rekonstruktimit të paralajmëruar të kabinetit qeveritar, të propozuar nga kryeministri Hristijan Mickoski. Në seancën e 112-të u shkarkuan shtatë ministra dhe dy zëvendësministra njofton INA.
Nga detyra u shkarkuan ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave, Cvetan Tripunovski, ministri për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive, Ivan Stoilkoviq, ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu, ministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Limani, ministri i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, si dhe ministri pa resor, Shaban Saliu.
Po ashtu, u shkarkuan edhe zëvendësministri i Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Gjoko Velkovski, si dhe zëvendësministri i Kulturës dhe Turizmit, Sedat Sulejmani.
Duke arsyetuar vendimin para deputetëve, kryeministri Mickoski deklaroi se rekonstruktimi është pjesë e parimit të Qeverisë që funksionet publike të shihen si përgjegjësi dhe jo si privilegj.
“Nga dita e parë kur morëm përgjegjësinë, kam thënë se kjo nuk do të jetë një Qeveri komode, por një Qeveri e rezultateve. Funksionet nuk janë një e drejtë e fituar, por një obligim që duhet të arsyetohet çdo ditë”, tha Mickoski.
Ai theksoi se ndryshimet nuk duhet të interpretohen si mohim i punës së deritanishme të ministrave, por si fillim i një faze të re në punën e Qeverisë.
“Sot nuk po ndahemi nga njerëz që nuk kanë punuar, por nga njerëz që kanë dhënë kontributin e tyre në sektorë të ndryshëm për realizimin e programit për të cilin qytetarët na besuan mandatin”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, qëllimi i rekonstruktimit është rritja e efikasitetit dhe vazhdimi i zbatimit të programit qeveritar.
Nga opozita, ndërkohë, u vlerësua se ndryshimet janë të motivuara politikisht dhe se rekonstruktimi nuk është vetëm një riorganizim i kuadrove, por edhe përgatitje për zgjedhje të mundshme të parakohshme.
Deputeti i partisë E Majta (Levica), Borislav Krmov, kritikoi shkarkimin e ministrit të Bujqësisë, Cvetan Tripunovski, duke theksuar se deputetët e shumicës deri vonë e kishin lavdëruar punën e tij.
“Nëse ka punuar mirë, pse po e zëvendësojmë tani?”, pyeti Krmov, duke kritikuar gjithashtu gjendjen në sektorin e bujqësisë dhe vonesat në pagesën e subvencioneve.
Ai shtoi se Ministria e Bujqësisë prej vitesh po përdoret si pjesë e marrëveshjeve politike ndërmjet partnerëve të koalicionit, në vend që të trajtohet si një sektor strategjik për shtetin.
Krmov komentoi edhe ndarjen e resorëve pas ndryshimeve, duke vlerësuar se me këtë rekonstruktim më së shumti humb ZNAM, ndërsa koalicioni VLEN fiton më shumë hapësirë politike me marrjen e Ministrisë së Drejtësisë.
tag_katrorimaqedoni_2