Kush po flet për dinjitet e parime - Gazeta Express
string(34) "kush-po-flet-per-dinjitet-e-parime"

Gazeta Express

15/01/2020 11:09

Kush po flet për dinjitet e parime

Gazeta Express

15/01/2020 11:09

Askush nuk ia ka shkelur as humbur dinjitetin LDK’së më shumë se udhëheqësit e saj. Askush më shumë se ata nuk e ka distancuar LDK’në nga ajo që kjo parti e quan “rugovizëm”. Siç nuk ka ndërruar askush më shumë parime se Vetëvendosja, brenda një kohe të shkurtër, teksa insiston se ka mbetur e njëjta

Imer Mushkolaj

Lexo Edhe:

Do të ishte përnjëmend komik, po të mos ishte në vetvete edhe tragjik një postim i Agim Veliut në Facebook, të martën mbrëma. Një ndër nënkryetarët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke e refuzuar ofertën e fundit të Lëvizjes Vetëvendosje për bashkëqeverisje, tha se në këtë mënyrë partia e Albin Kurtit kishte për qëllim nënshtrimin dhe nënçmimin e LDK’së. Këto fjalë po i thoshte njeriu, i cili kishte luajtur rol kyç pikërisht në nënshtrimin dhe nënçmimin e LDK’së nga Hashim Thaçi dhe PDK’ja. Kështu po fliste njeriu, i cili bashkë me kreun e partisë, Isa Mustafa, kërkonte votat për të mos bërë kurrë koalicion me SHIK’un e PDK’në, për t’u futur më pas “në shtrat” me ta.

Agim Veliu, në statusin e tij “iluminues”, tha po ashtu se qëllimi i VV’së ishte që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Do të duhet të jetosh në një tjetër planet, e të mos kesh njohuri se çfarë vlerash europiane e euroatlantike ka promovuar LDK’ja gjatë gjithë kohës në qeverisje e bashkëqeverisje.

A është vlerë europiane keqqeverisja? A është e tillë nepotizmi? Po politizimi i bordeve, kompanive publike e agjencioneve të pavarura? Kapja e shtetit, njësoj si PDK, a është këso vlere? A është vlerë euroatlantike izolimi? Isa Mustafa nuk kishte guxim që ta dërgojë demarkacionin në Kuvend, duke mos i dhënë shans liberalizimit të vizave. Për çfarë vlerash po flet ky njeri?

Nënkryetari i LDK’së nuk u ndal me kaq. Tha se partia, me të cilën po negociojnë për bashkëqeverisje, po do që LDK’në ta distancojë nga rugovizmi. Është e vështirë, për të mos thënë e pamundur që të kupthet se çka kuptojnë me “rugovizëm” këta të LDK’së, kur e përmendin atë. Nëse flitet për parime e përgjegjësi, atëherë nuk ka distancim më të madh nga rugovizmi sesa t’ia mundësosh Hashim Thaçit të bëhet së pari kryeministër e pastaj president, si dhe Kadri Veselit kryeparlamentar.

Frustrimi i Veliut mund të jetë shkaktuar për arsye personale. Mund të jetë që frikësohet se arritja e koaliconit e defaktorizon atë dhe të tjerët si ai. Mund të jetë luftë politike brenda llojit. Por një gjë është e qartë: askush nuk ia ka shkelur as humbur dinjitetin LDK’së më shumë se udhëheqësit e saj. Ndër të cilët edhe Veliu.

* * *

Nëse ka folur dikush për parime në këtë vend, është Lëvizja Vetëvendosje. Që nga themelimi, zyrtarë të saj e kanë pasur gojën plot parime, të cilat më pas i kanë harruar ose janë përpjekur të arsyetohen.

Pa u kthyer në histori, është vetë VV që ka premtuar se qeveria e ardhshme do t’i ketë 12 ministri. Nuk ka thënë se do t’i shtojë edhe dy, në rast të mosarritjes së marrëveshjes me LDK’në.

Është vetë VV që ka thënë se Lista Serbe nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme. Qëndrimi ka “avancuar”, duke u arsyetuar me respektimin e kushtetutës dhe duke thënë më pas se Lista Serbe do të përfaqësohej, por nuk do të jetë në koalicon formal me dy partitë më të mëdha shqiptare.

Është vetë VV që ka ndërruar qëndrimet rreth dialogut me Serbinë, rreth simboleve dhe Kombëtares së Kosovës në futboll etj.

Pa dashur të tërheq paralelizma – sepse bëhet fjalë për një parti që ka qenë thuajse vazhdimisht në pushtet dhe një tjetër që ende nuk ka qeverisur në nivelin qendror, por nuk është se po qeveris si duhet as në atë lokal – nuk është hiç parimore që tërë përgjegjësinë për krijimin e koalicionit t’ia lësh LDK’së, ndërkohë që ke fituar vota më shumë. Aq më pak të publikosh listë emrash për ministra, ndërkohë që marrëveshja me partnerin ende nuk është arritur.

Për të mos përmendur afatin 72 e 100 orësh që jepte Albin Kurti për krijimin e qeverisë, thua se kishte të bënte me ndarje mollash, e jo pushteti dhe atë me një parti e kryetar të rryer ndër vite e sisteme. Vetë ndërrimi i qasjes karshi Isa Mustafës dhe LDK’së është shkelje parimesh. As Isa Mustafa, as LDK nuk kanë ndryshuar prej kohës kur i pari etiketohej si “argat i Serbisë” e LDK si “patericë e PDK’së”.

* * *

E kuptueshme: kur bëhet fjalë për pushtet, parimet ndërrojnë. Vetëm se është e pandershme të provosh për ta bindur një popull të tërë se shquhesh për dinjitet e parime, ndërkohë që vepron ndryshe. Jetojmë këtu dhe shohim çdo ditë çfarë ndodh – ndërmjet izolimit nga të “dinjitetshmit” dhe shpresës së premtuar nga “parimorët”.